PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË AKTIN E GJENEVËS TË MARRËVESHJES SË HAGËS PËR REGJISTRIMIN NDËRKOMBËTAR TË PROJEKTEVE INDUSTRIALE DHE RREGULLORET MBËSHTETUR NË AKTIN E GJENEVËS ( 1999)

LIGJ

Nr.9647, datë 27.11.2006

 

PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË AKTIN E GJENEVËS TË MARRËVESHJES SË HAGËS PËR REGJISTRIMIN NDËRKOMBËTAR TË PROJEKTEVE INDUSTRIALE DHE RREGULLORET MBËSHTETUR NË AKTIN E GJENEVËS, 1999

 

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

 

VENDOSI:

 

Neni 1

 

Republika e Shqipërisë aderon në aktin e Gjenevës të Marrëveshjes së Hagës për regjistrimin ndërkombëtar të projekteve industriale dhe rregulloret mbështetur në aktin e Gjenevës, 1999.

 

 

Neni 2

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin nr.5151, datë 12.12.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

 

Akti

i Gjenevës i Marrëveshjes së Hagës për Regjistrimin Ndërkombëtar të Projekteve Industriale dhe rregulloret mbështetur në Aktin e Gjenevës

 

2 korrik 1999

 

DISPOZITA HYRËSE

 

Neni 1

Shprehje të shkurtuara

 

Për qëllimet e këtij Akti:

i) “Marrëveshja e Hagës” nënkupton Marrëveshjen e Hagës për depozitimin ndërkombëtar të projekteve industriale, që, në këtë Akt, riemërtohet Marrëveshja e Hagës për regjistrimin ndërkombëtar të projekteve industriale”;

ii) “Akt” do të thotë Marrëveshja e Hagës, sikurse është përcaktuar nga ky Akt;

iii) “Rregulla” nënkupton rregullat e vendosura në mbështetje të këtij Akti;

iv) “E parashikuar” nënkupton rregullat e përcaktuara në rregullore;

v) “Konventa e Parisit” nënkupton konventën e Parisit “Për mbrojtjen e pronësisë industriale”, të nënshkruar në Paris, më 20 mars 1883, të rishikuar dhe të ndryshuar;

vi) “Regjistrim ndërkombëtar” do të thotë regjistrimi ndërkombëtar i një projekti industrial, i bërë në mbështetje të këtij Akti;

vii) “Aplikim ndërkombëtar” do të thotë një kërkesë për regjistrim ndërkombëtar;

viii) “Regjistër ndërkombëtar” do të thotë grumbullimi zyrtar i të dhënave për regjistrimet ndërkombëtare, të mbajtura nga byroja ndërkombëtare, të cilat kërkohen ose lejohen të regjistrohen në mbështetje të këtij Akti apo të rregulloreve, pavarësisht nga mjedisi ku ruhen këto të dhëna;

ix) “Person” nënkupton një person fizik ose juridik;

x) “Aplikant” nënkupton personin, në emër të të cilit paraqitet një aplikim ndërkombëtar;

xi) “Zotërues” nënkupton personin, në emër të të cilit një aplikim ndërkombëtar regjistrohet në regjistrin ndërkombëtar;

xii) “Organizatë ndërqeveritare” nënkupton një organizatë ndërqeveritare, të përshtatshme për t’u bërë palë në këtë Akt, në përputhje me nenin 27(1) (ii);

xiii) “Palë kontraktuese” nënkupton çdo organizatë, shtetërore a ndërqeveritare, palë në këtë Akt;

xiv) “Palë kontraktuese e aplikantit” nënkupton palën kontraktuese ose njërën nga palët kontraktuese, të cilat autorizojnë aplikantin të paraqesë një aplikim ndërkombëtar, duke përmbushur, në emër të palës kontraktuese, së paku njërën nga kushtet e specifikuara në nenin 3; në rast se ka dy ose më shumë palë kontraktuese, të cilat i japin të drejtën aplikantit, në bazë të nenin 3, që të paraqesë një aplikim ndërkombëtar. “Palë kontraktuese e aplikantit” nënkupton palën, ndërmjet këtyre palëve kontraktuese, të përcaktuara  si të tilla në aplikimin ndërkombëtar;

xv) “Territor i një pale kontraktuese” nënkupton, kur pala kontraktuese është një shtet, territorin e  atij shteti dhe, kur pala kontraktuese është një organizatë ndërqeveritare, territorin ku zbatohet traktati kushtetues i asaj organizate ndërqeveritare;

xvi) “Zyrë” nënkupton agjencinë, që pala kontraktuese i ka dhënë të drejtën të mbrojë projektet industriale, në interes të territorit të kësaj pale kontraktuese;

xvii) “Zyra  e shqyrtimit” nënkupton një zyrë, e cila shqyrton, në përputhje me statusin e saj, aplikimet e paraqitura pranë saj, për mbrojtjen e projekteve industriale, me qëllim që të përcaktojë së paku nëse projektet industriale përmbushin kushtin e risisë;

xviii) “Caktim” do të thotë një kërkesë, që një regjistrim ndërkombëtar të ketë efekt ndaj një pale kontraktuese, si regjistrimi në regjistrin ndërkombëtar të kësaj kërkese;

xix) “Palë kontraktuese e caktuar” dhe “Zyrë e caktuar” nënkuptojnë, respektivisht, palën kontraktuese dhe zyrën e palës kontraktuese, ku kryhet procesi i caktimit;

xx) “Akt i 1934-s” nënkupton aktin e Marrëveshjes së Hagës, të nënshkruar në Londër, më 2 qershor 1934;

xxi) “Akt i 1960-s” nënkupton aktin e Marrëveshjes së Hagës, të nënshkruar në Hagë, më 28 nëntor 1960;

xxii) “Akt shtesë, i vitit 1961” nënkupton shtesën e aktit të vitit 1934, të nënshkruar në Monako, më 18 nëntor 1961;

xxiii) “Akt plotësues, i vitit 1967” nënkupton aktin plotësues, të ndryshuar, të Marrëveshjes së Hagës, nënshkruar në Stokholm, më 14 korrik 1967;

xxiv) “Union” nënkupton Unionin e Hagës, krijuar nga Marrëveshja e Hagës, më 6 nëntor të vitit 1925 dhe  të mbështetur nga aktet e viteve 1934 e 1960, si dhe nga akti shtesë i vitit 1961, akti plotësues i vitit 1967, dhe nga ky Akt;

xxv) “Asamble” nënkupton asamblenë, së cilës i referohet neni 21(1) (a) ose çdo organ që zëvendëson këtë asamble;

xxvi) “Organizatë” nënkupton Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale;

xxvii) “Drejtor i përgjithshëm” nënkupton drejtorin e përgjithshëm të organizatës;

xxviii) “Byro ndërkombëtare” nënkupton byronë ndërkombëtare të organizatës;

xxix) “Instrument ratifikimi” përfshin instrumentet e pranimit ose të miratimit.

 

Neni 2

Zbatueshmëria e  mbrojtjes së tjetrit, dhënë nga ligjet e palëve kontraktuese dhe nga traktatet përkatëse ndërkombëtare

 

1. Ligjet e palëve kontraktuese dhe disa traktate ndërkombëtare

Dispozitat e këtij Akti nuk duhet të ndikojnë në zbatimin e çfarëdo lloj mbrojtjeje tjetër, më të madhe, e cila mund të garantohet nga ligji i një pale kontraktuese,  si dhe, në asnjë mënyrë, në mbrojtjen e veprave të artit e të artit të aplikuar, në mbështetje të traktateve dhe të konventave ndërkombëtare për të drejtat e autorit ose në mbrojtjen e projekteve industriale, në mbështetje të Marrëveshjes për çështjet e të drejtave mbi pronësinë intelektuale, që kanë të bëjnë me tregtinë, aneks i marrëveshjes së krijimit të Organizatës Botërore të Tregtisë.

2. Detyrimi për respektimin e Konventës së Parisit

Çdo palë kontraktuese duhet të respektojë për projektet industriale dispozitat e Konventës së Parisit.

KAPITULLI  I

APLIKIMI DHE REGJISTRIMI NDËRKOMBËTAR

 

Neni 3

E drejta për të paraqitur një aplikim ndërkombëtar

 

Çdo person,  shtetas i një shteti, që është palë kontraktuese ose i një shteti, anëtar i një organizate ndërqeveritare, që është palë kontraktuese apo që ka vendbanimin, rezidencën e përhershme, a një shoqëri tregtare ose industriale, efektive, në territorin e një pale kontraktuese, ka të drejtë të paraqesë një aplikim ndërkombëtar.

 

Neni 4

Procedura e paraqitjes së një aplikimi ndërkombëtar

 

1. Paraqitja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e aplikimit

a) Aplikimi ndërkombëtar mund të paraqitet, sipas zgjedhjes së aplikantit, në mënyrë të drejtpërdrejtë në byronë ndërkombëtare ose nëpërmjet zyrës së palës kontraktuese të aplikantit.

b) Pavarësisht nga  përcaktimi në shkronjën  “a” të kësaj pike, çdo palë kontraktuese mund ta njoftojë drejtorin e përgjithshëm, me anë të një deklarate, se aplikimet ndërkombëtare nuk do të paraqiten përmes zyrës së tij.

2. Taksa e transmetimit në rast të një paraqitjeje të tërthortë të aplikimit

Zyra e çdo pale kontraktuese mund të kërkojë që aplikanti të paguajë taksën e transmetimit për çdo aplikim ndërkombëtar, të paraqitur në interes të aplikantit përmes saj.

 

Neni 5

Elementet që përmban aplikimi ndërkombëtar

 

1) Elementet e detyrueshme, që përmban aplikimi ndërkombëtar

Aplikimi ndërkombëtar duhet të jetë në gjuhën e përcaktuar ose në njërën nga gjuhët e përcaktuara dhe duhet të shoqërohet me:

i) një kërkesë për regjistrim ndërkombëtar, në përputhje me këtë Akt;

ii) të dhënat e përcaktuara për aplikantin;

iii) numrin e parashikuar të kopjeve të një riprodhimi ose, sipas dëshirës së aplikantit, të disa riprodhimeve të ndryshme të projektit industrial, objekt i aplikimit ndërkombëtar. Kur projekti industrial është dydimensional dhe kur është paraqitur një kërkesë për shtyrjen e afatit të publikimit, në përputhje me pikën 5 të këtij neni, në vend të riprodhimeve, aplikimi ndërkombëtar mund të shoqërohet me një numër të përcaktuar modelesh të projektit industrial;

iv) një tregues të produktit/produkteve, që përbëjnë projektin industrial a mbi të cilat do të përdoret projekti industrial, në bazë të parashikimeve;

v) një përcaktim të palëve kontraktuese, të caktuara;

vi) tarifat e parashikuara;

vii) çdo element tjetër të veçantë, të parashikuar.

2) Elementet suplementare të detyrueshme, që duhet të përmbajë aplikimi ndërkombëtar

a) Çdo palë kontraktuese, zyra e së cilës është zyrë shqyrtuese dhe ligji në fuqi, në kohën kur ajo bëhet palë e këtij akti, kërkon që aplikimi për sigurimin e mbrojtjes së një projekti industrial të përmbajë të gjitha elementet e përcaktuara në shkronjën  “b”, të kësaj pike, duhet të njoftojë, me anë të një deklarate, drejtorin e përgjithshëm për këto elemente, me qëllim që të përcaktohet, sipas ligjit, data e paraqitjes së aplikimit.

b) Elementet që duhet të përmbajë aplikimi për sigurimin e mbrojtjes së një projekti industrial:

i) Të dhëna për identitetin e hartuesit të projektit industrial, objekt i aplikimit;

ii) Një përshkrim të shkurtër të riprodhimit ose të karakteristikave dalluese të projektit industrial, objekt i aplikimit;

iii) Një kërkesë.

c) Kur në aplikimin ndërkombëtar është përcaktuar pala kontraktuese, e cila ka bërë njoftimin, në përputhje me  shkronjën “a” të kësaj pike, shënohet edhe çdo  element tjetër, objekt i këtij njoftimi.

 

3. Elemente të tjera,  që mund të përmbajë aplikimi ndërkombëtar

Aplikimi ndërkombëtar mund të përmbajë ose të shoqërohet edhe me elemente të tjera, të cilat përcaktohen në rregullore.

4. Përfshirja e disa projekteve industriale në të njëjtin aplikim ndërkombëtar

Në përputhje me kushtet e parashikuara, një aplikim ndërkombëtar mund të përfshijë dy ose më shumë projekte industriale.

5) Kërkesa për shtyrjen e publikimit

Aplikimi ndërkombëtar mund të përmbajë një kërkesë për shtyrjen e publikimit.

 

Neni 6

Përparësia

 

1) Kërkesa për përparësi

a) Aplikimi ndërkombëtar mund të përmbajë një deklaratë, me anë të së cilës kërkohet në përputhje me nenin 4 të Konventës së Parisit, dhënien e përparësisë njërës ose më shumë aplikimeve të mëparshme, të paraqitura në çdo vend apo për çdo vend, palë në konventë a për çdo anëtar të Organizatës Botërore të Tregtisë.

b) Rregulloret mund të parashikojnë që deklarata e përmendur në shkronjën “a” të kësaj  pike mund të bëhet edhe pas paraqitjes së aplikimit ndërkombëtar. Në këtë rast, rregulloret duhet të parashikojnë afatin e fundit, kur mund të bëhet deklarata.

2. Aplikimi ndërkombëtar, që shërben si bazë e kërkesës për përparësi

Aplikimi ndërkombëtar duhet të paraqitet në mënyrë të rregullt, duke filluar nga data e paraqitjes së tij dhe më pas të procedohet, në përputhje me nenin 4 të Konventës së Parisit.

 

Neni 7

Taksat e caktimit

 

1) Taksat e caktimit

Këto taksa përfshijnë, sipas pikës 2 të këtij neni, një taksë caktimi për secilën palë kontraktuese të caktuar.

2) Taksa individuale e caktimit

Çdo palë kontraktuese, zyra e së cilës është zyrë shqyrtuese dhe çdo palë kontraktuese, që është një organizatë ndërqeveritare, mund ta njoftojnë drejtorin e përgjithshëm, me anë të një deklarate, se, për çdo aplikim ndërkombëtar, ku janë caktuar dhe për  çdo regjistrim ndërkombëtar të rinovuar,  taksa e  caktimit, sipas pikës 1 të këtij neni, do të zëvendësohet me një taksë individuale caktimi, shuma e së cilës përcaktohet në deklaratë. Kjo shumë  mund të ndryshohet me deklarata të tjera. Shuma e sipërpërmendur mund të përcaktohet nga pala kontraktuese gjatë periudhës fillestare të mbrojtjes, për çdo periudhë rinovimi, si dhe për periudhën maksimale të mbrojtjes së lejuar nga kjo palë kontraktuese. Megjithatë,  kjo shumë mund të mos jetë më e madhe se shuma, që zyra e palës kontraktuese do të marrë nga aplikanti për dhënien e së drejtës së mbrojtjes për një numër të njëjtë projektesh industriale, gjatë së njëjtës periudhë, ku kjo shumë ulet me  shkurtimin e procedurave  ndërkombëtare.

3. Transferimi i taksave të caktimit

Taksat e caktimit, të cilat përmenden në pikat 1 e 2 të këtij neni, transferohen nga byroja ndërkombëtare te pala kontraktuese, për të cilën paguhen këto taksa.

 

Neni 8

Korrigjimi i parregullsive

 

1) Shqyrtimi i aplikimit ndërkombëtar

Nëse byroja ndërkombëtare zbulon se aplikimi ndërkombëtar nuk i përmbush kërkesat e këtij Akti dhe të rregulloreve, të nxjerra në zbatim të tij, ajo fton aplikantin të bëjë korrigjimet e nevojshme, brenda një afati të caktuar.

2) Parregullsitë e pakorrigjuara

a) Nëse aplikanti nuk i përgjigjet ftesës, brenda afatit të caktuar, aplikimi ndërkombëtar, objekt i shkronjës “b” të kësaj pike, do të vlerësohet si aplikim nga i cili është hequr dorë.

 

b) Nëse aplikanti, në rastin e një parregullsie, të parashikuar në nenin 5(2), ose të një kërkese të posaçme, për të cilën drejtori i përgjithshëm është vënë në dijeni nga pala kontraktuese, në përputhje me rregulloret, nuk i përgjigjet ftesës brenda afatit të caktuar, nuk do të jetë e nevojshme që aplikimi ndërkombëtar të përmbajë caktimin e asaj pale kontraktuese.

 

Neni 9

Data e paraqitjes së aplikimit ndërkombëtar

 

1. Aplikimi ndërkombëtar i paraqitur në mënyrë të drejtpërdrejtë

Kur aplikimi ndërkombëtar paraqitet drejtpërdrejt në byronë ndërkombëtare, data e paraqitjes, objekt i pikës 3 të këtij neni, do të jetë data e marrjes së aplikimit ndërkombëtar nga kjo byro.

2. Aplikimi ndërkombëtar i paraqitur në mënyrë të tërthortë

Kur aplikimi ndërkombëtar paraqitet përmes zyrës së palës kontraktuese të aplikantit, data e paraqitjes do të përcaktohet sipas parashikimit.

3. Aplikimi ndërkombëtar me disa parregullsi

Kur në aplikimin ndërkombëtar, në datën e marrjes nga byroja ndërkombëtare, vërehet një parregullsi, korrigjimi i së cilës kërkon kohë, gjë që shkakton shtyrjen e datës së paraqitjes së këtij aplikimi, si datë e paraqitjes do të jetë data kur byroja ndërkombëtare do të bëjë korrigjimin e parregullsisë.

 

Neni 10[1][1]

Regjistrimi ndërkombëtar data e regjistrimit ndërkombëtar, botimi i kopjeve konfidenciale të regjistrimit ndërkombëtar

 

1. Regjistrimi ndërkombëtar

Byroja ndërkombëtare është e detyruar të regjistrojë çdo projekt industrial, objekt i një aplikimi ndërkombëtar, menjëherë pas marrjes së tij ose, kur është e nevojshme të bëhen korrigjime, në bazë të nenit 9 më sipër,  menjëherë pasi të jenë bërë korrigjimet e kërkuara. Regjistrimi do të hyjë në fuqi edhe nëse shtyhet ose jo publikimi, në përputhje me nenin 11 të këtij Akti.

2. Data e regjistrimit ndërkombëtar

a) Data e regjistrimit ndërkombëtar, objekt i shkronjës “b”, do të jetë data e paraqitjes së aplikimit ndërkombëtar.

b) Kur në aplikimin ndërkombëtar, në datën e marrjes nga byroja ndërkombëtare, vërehet parregullsi, siç përcaktohet në nenin 5(2),  si datë regjistrimi ndërkombëtar do të jetë data kur byroja ndërkombëtare merr korrigjimet e kërkuara ose data e paraqitjes së aplikimit ndërkombëtar, cilado qoftë ajo.

3. Publikimi

a) Regjistrimi ndërkombëtar publikohet nga byroja ndërkombëtare dhe duhet  të vlerësohet, nga të gjitha palët kontraktuese, si një publikim i mjaftueshëm dhe zotëruesi nuk ka pse të kërkojë më një publikim tjetër.

b) Byroja ndërkombëtare i dërgon çdo zyre të caktuar një kopje të publikimit të regjistrimit ndërkombëtar.

4. Ruajtja e konfidencialitetit përpara publikimit

Byroja ndërkombëtare, sipas pikës 5 të këtij neni dhe të nenit 11(4)(b), duhet të mbajë sekret çdo aplikim ndërkombëtar dhe çdo regjistrim ndërkombëtar deri në publikimin e tyre.

5. Kopjet konfidenciale

a) Byroja ndërkombëtare dërgon, menjëherë pas hyrjes në fuqi të regjistrimit, një kopje të aplikimin ndërkombëtar, së bashku me deklaratën përkatëse, dokumentin ose modelin që shoqëron atë në zyrat e caktuara në aplikimin ndërkombëtar, të cilat e kanë njoftuar se pranojnë të marrin kopje të tilla.

b) Zyra ruan sekretin për çdo regjistrim ndërkombëtar deri sa ai të publikohet dhe mund ta përdorë kopjen e aplikimit ndërkombëtar vetëm për të shqyrtuar regjistrimin ndërkombëtar, si dhe për aplikimet për mbrojtjen e projekteve industriale, të cilat janë paraqitur nga/për palën kontraktuese, për të cilën kjo zyrë është kompetente. Ajo nuk duhet t’ia zbulojë përmbajtjen e regjistrimit ndërkombëtar asnjë personi jashtë zyrës, përveç zotëruesit të këtij regjistrimi, me përjashtim të rastit kur, për ndonjë procedurë, administrative a ligjore, që ka të bëjë me konfliktin e së drejtës së paraqitjes së aplikimit ndërkombëtar ku mbështetet regjistrimi ndërkombëtar. Në rastin e një procedure të tillë, administrative a ligjore, përmbajtja e regjistrimit ndërkombëtar mund t’u zbulohet në mirëbesim palëve të përfshira në proces, të cilat janë të detyruara të respektojnë konfidencialitetin e këtij zbulimi.

 

Neni 11

Shtyrja e publikimit

 

1. Të drejtat e palëve kontraktuese për shtyrjen e publikimit

a) Kur e drejta e një pale kontraktuese parashikon shtyrjen e publikimit të një projekti industrial për një periudhë më të shkurtër se periudha e parashikuar, kjo palë kontraktuese njofton, me një deklaratë, drejtorin e përgjithshëm për periudhën e lejueshme të shtyrjes.

b) Kur e drejta e një pale kontraktuese nuk parashikon shtyrjen e publikimit të një projekti industrial, pala kontraktuese njofton për këtë fakt, me një deklaratë, drejtorin e përgjithshëm.

2. Shtyrja e publikimit

Kur aplikimi ndërkombëtar përmban një kërkesë për shtyrjen e publikimit, publikimi bëhet:

i)  pas mbarimit të periudhës së përcaktuar, nëse asnjëra nga palët kontraktuese, e  caktuar në aplikimin ndërkombëtar, nuk ka bërë deklaratë, sipas pikës 1 të këtij neni;

ii)  pas mbarimit të periudhës së përcaktuar, nëse njëra nga palët kontraktuese e caktuar në aplikimin ndërkombëtar, ka bërë një deklaratë, sipas pikës 1/a;

iii)  pas mbarimit të periudhës më të shkurtër të përcaktuar në deklaratë, nëse  ka më  shumë se një palë kontraktuese të caktuar në aplikimin ndërkombëtar.

3. Trajtimi i kërkesave për shtyrje, kur shtyrja është e pamundur, në bazë të ligjit të zbatuar

Kur kërkohet shtyrja e publikimit dhe kur njëra nga palët kontraktuese, e caktuar në aplikimin ndërkombëtar, ka bërë një deklaratë sipas pikës 1/b dhe shtyrja e publikimit, në bazë të ligjit, nuk është e mundur:

i) byroja ndërkombëtare, sipas nënndarjes “ii”, njofton aplikantin. Nëse aplikanti, pasi e ka marrë njoftimin me shkrim nga byroja ndërkombëtare, nuk tërheq brenda periudhës së caktuar, caktimin e palës kontraktuese në fjalë, atëherë byroja ndërkombëtare nuk merr parasysh kërkesën për shtyrje të publikimit;

ii) kur aplikimi ndërkombëtar nuk përmban riprodhime të projektit industrial, por shoqërohet nga modele të këtij projekti, byroja ndërkombëtare nuk merr në  konsideratë caktimin e palës kontraktuese në fjalë dhe, si rrjedhojë, njofton   menjëherë aplikantin.

4. Kërkesa për publikim të parakohshëm ose për akses të veçantë në regjistrimin  ndërkombëtar

a) Në çdo kohë, gjatë periudhës së shtyrjes sipas pikës 2, zotëruesi mund të kërkojë publikimin e njërit ose të të gjitha projekteve industriale, subjekt i regjistrimit ndërkombëtar, dhe, në këtë rast, periudha e shtyrjes së njërit ose e të gjitha projekteve industriale mbaron në datën kur merret një kërkese për publikim të parakohshëm ose për akses të veçantë në regjistrimin ndërkombëtar nga byroja ndërkombëtare.

b) Zotëruesi mund, që në çdo kohë, gjatë periudhës së shtyrjes së zbatueshme, sipas pikës 2, t’i kërkojë byrosë ndërkombëtare ta pajisë palën e tretë, të përcaktuar nga zotëruesi, me një formular të përmbledhur ose t’i lejojë kësaj pale akses ndaj njërës ose ndaj të gjitha projekteve industriale, subjekt i regjistrimit ndërkombëtar.

5. Heqja dorë dhe kufizimi

a) Nëse gjatë periudhës së shtyrjes, të zbatueshme në bazë të pikës 2, zotëruesi, në emër të të gjitha palëve kontraktuese të caktuara, heq dorë nga regjistrimi ndërkombëtar, projekti a projektet industriale, subjekt a subjekte të regjistrimit ndërkombëtar, nuk do të publikohen.

b) Nëse gjatë periudhës së shtyrjes, të zbatueshme në bazë të pikës 2, zotëruesi, në emër të të gjitha palëve kontraktuese të caktuara, kufizon regjistrimin ndërkombëtar, të një ose disa projekteve industriale, subjekt i regjistrimit ndërkombëtar, projekti a projektet e tjera industriale, subjekt i këtij regjistrimi, nuk do të publikohen.

 

 

6. Publikimi dhe paraqitja e riprodhimeve

a) Me mbarimin e çdo periudhe shtyrjeje, të zbatueshme në bazë të dispozitave të këtij neni, byroja ndërkombëtare, objekt i pagesës së taksave të përcaktuara, publikon regjistrimin ndërkombëtar. Nëse taksat nuk paguhen sikurse janë përcaktuar, regjistrimi ndërkombëtar anulohet dhe publikimi nuk bëhet.

b) Kur aplikimi ndërkombëtar shoqërohet nga një ose më shumë modele të  projektit industrial, në përputhje me nenin 5(1) (iii), zotëruesi duhet t’i paraqesë byrosë ndërkombëtare numrin e përcaktuar të kopjeve të riprodhimit të secilit projekt industrial, objekt i këtij aplikimi, brenda afatit të caktuar. Nëse zotëruesi nuk vepron në këtë mënyrë, regjistrimi ndërkombëtar anulohet dhe publikimi nuk bëhet.

 

Neni 12

Refuzimi

 

1. E drejta për të refuzuar

Zyra e çdo pale kontraktuese të caktuar mund  t’i refuzojë, pjesërisht ose tërësisht, efektet e regjistrimit ndërkombëtar në territorin e palës kontraktuese në fjalë, kur kushtet për dhënien e së drejtës për mbrojtje, në mbështetje të së drejtës së palës kontraktuese, nuk përmbushen për një ose për të gjitha projektet industriale. Asnjë zyrë nuk mund të refuzojë, pjesërisht ose tërësisht, efektet e një regjistrimi ndërkombëtar, për faktin se kërkesat për formën ose përmbajtjen e aplikimit ndërkombëtar nuk janë përmbushur sipas së drejtës së palës kontraktuese në fjalë.

2. Njoftimi për refuzim

a) Zyra duhet ta njoftojë byronë ndërkombëtare për refuzimin e një regjistrimi ndërkombëtar  brenda periudhës së përcaktuar.

b) Në çdo njoftim për refuzim duhet të përcaktohen të gjitha arsyet, mbi të cilat mbështetet njoftimi i refuzimit.

3. Transmetimi i njoftimit të refuzimit; zhdëmtimet

a) Byroja ndërkombëtare duhet t’ia kalojë pa vonesë zotëruesit një kopje të njoftimit të refuzimit.

b) Për zotëruesin zbatohen masa të njëjta zhdëmtuese, si në rastin e çdo projekti industrial, subjekt i regjistrimit ndërkombëtar, dhe të një aplikimi për dhënien e mbrojtjes, në bazë të së drejtës së zyrës, që komunikon refuzimin. Zhdëmtime të tilla kanë të bëjnë, së paku, me mundësinë e një rishqyrtimi të refuzimit ose të një apelimi ndaj refuzimit.

4.2 Tërheqja e refuzimit

Çdo refuzim mund të tërhiqet, pjesërisht ose tërësisht, në   çdo kohë nga zyra që e komunikon atë.[2][2]

 

Neni 13

Kërkesa të veçanta për një projekt të unifikuar

 

1. Njoftimi i kërkesave të veçanta

Çdo palë kontraktuese, në mbështetje të legjislacionit të brendshëm, kur  bëhet palë e këtij Akti, kërkon që projektet, objekt i të njëjtit aplikim, të jenë në përputhje me një kërkese për një projekt, një prodhim apo një përdorim të unifikuar, ose që i përkasin të njëjtit grup a së njëjtës përbërje artikujsh, apo kur vetëm një projekt i pavarur dhe i qartë mund të kërkohet në një aplikim të vetëm, mund të njoftojë, me anë të një deklarate, drejtorin e përgjithshëm. Megjithatë, asnjë deklaratë e tillë nuk do të ndikonte ndaj së drejtës së një aplikanti për të përfshirë dy a më shumë projekte industriale në një aplikim ndërkombëtar, në përputhje me nenin 5(4), edhe nëse në aplikim është përcaktuar pala kontraktuese, që bën deklaratën.

 

2. Efekti i deklaratës

Çdo deklaratë e tillë duhet  të bëjë të mundur që zyra e palës kontraktuese, e cila e ka bërë këtë deklaratë, t’i refuzojë efektet e regjistrimit ndërkombëtar, në përputhje me nenin 12(1) dhe sipas kërkesës së njoftuar nga pala kontraktuese.

3. Taksat e tjera, të pagueshme për shpërndarjen e regjistrimit

Kur pas njoftimit të refuzimit, sipas pikës 2 të këtij neni, një regjistrim ndërkombëtar shpërndahet në zyrën e interesuar, me qëllim që të shmanget arsyeja e refuzimit, e shprehur në njoftim, zyrës i lind e drejta të vendosë një taksë për çdo aplikim ndërkombëtar suplementar, të  nevojshme për të shmangur këtë arsye refuzimi.

 

Neni 14

Pasojat e regjistrimit ndërkombëtar

 

1. Pasojat e aplikimit sipas ligjit të zbatueshëm

Regjistrimi ndërkombëtar, nga data e regjistrimit, do të ketë ndaj çdo pale kontraktuese efekt të njëjtë si në rastin e një aplikimi të rregullt, për të siguruar të drejtën e mbrojtjes së projektit industrial, në bazë të ligjit të palës kontraktuese.

2. Efekti i dhënies të së drejtës së mbrojtjes sipas ligjit të zbatueshëm

a) Për çdo palë kontraktuese të caktuar, zyra e së cilës nuk ka komunikuar asnjë refuzim në përputhje me nenin 12, regjistrimi ndërkombëtar do të ketë efekt të njëjtë me garantimin e së drejtës së mbrojtjes së projektit industrial, në përputhje me legjislacionin e brendshëm të palës kontraktuese, maksimumi nga data e mbarimit të afatit të lejueshëm për komunikimin e refuzimit. Kur një palë kontraktuese ka bërë një deklaratë të njëjtë, në përputhje me rregulloren, afati maksimal do të jetë koha e përcaktuar në deklaratë.

b) Kur zyra e palës kontraktuese të caktuar ka komunikuar një refuzim dhe më pas e ka tërhequr, pjesërisht ose tërësisht, regjistrimi ndërkombëtar do të ketë ndaj kësaj pale kontraktuese, sipas shkallës së tërheqjes së refuzimit, të njëjtën fuqi me dhënien e së drejtës së mbrojtjes së projektit industrial, në përputhje me  legjislacionin e brendshëm të palës kontraktuese, maksimumi nga data e tërheqjes së refuzimit.

c) Fuqia, që ky paragraf i jep regjistrimit ndërkombëtar, duhet të zbatohet për një ose për të gjitha projektet industriale, subjekt i regjistrimit, dërguar byrosë ndërkombëtare nga zyra e caktuar.

3. Deklarata për efektin e caktimit të palës kontraktuese të aplikantit

a) Çdo palë kontraktuese, zyra e së cilës është një zyrë shqyrtuese, mund ta njoftojë, me anë të një deklarate, drejtorin e përgjithshëm, se, në rastin e palës kontraktuese të aplikantit, nuk do të ketë efekt caktimi i kësaj pale kontraktuese në një regjistrim ndërkombëtar.

b) Kur një palë kontraktuese, e cila ka bërë deklaratën e përmendur në shkronjën “a”, caktohet në një aplikim ndërkombëtar si palë kontraktuese e aplikantit dhe  palë kontraktuese e caktuar, byroja ndërkombëtare nuk e merr parasysh caktimin e kësaj pale kontraktuese.

 

Neni 15

Shfuqizimi

 

1. Kërkesa për mundësinë e mbrojtjes

Shfuqizimi, i pjesshëm a tërësor, i efekteve të regjistrimit ndërkombëtar të një pale kontraktuese të caktuar nga autoritetet kompetente në territorin e kësaj pale mund të mos gjejë zbatim pa i ofruar zotëruesit mundësinë e mbrojtjes së të drejtave të tij në kohën e duhur.

2. Njoftimi i shfuqizimit

Zyra e palës kontraktuese, në territorin e së cilës janë shfuqizuar efektet e regjistrimit ndërkombëtar, duhet ta njoftojnë byronë ndërkombëtare, kur ka dijeni për shfuqizimin.

 

Neni 16

Regjistrimi i ndryshimeve dhe çështje të tjera, që lidhen me regjistrimin ndërkombëtar

 

1. Regjistrimi i ndryshimeve dhe çështje të tjera

Byroja ndërkombëtare, sikurse është përcaktuar, duhet të regjistrojë në regjistrin ndërkombëtar:

i) çdo ndryshim lidhur me pronësinë e regjistrimit ndërkombëtar, në rastin e të gjitha palëve kontraktuese të përfaqësuara dhe të gjitha projekteve industriale, objekt i regjistrimit ndërkombëtar, me kusht që pronarit të ri t’i jepet e drejta të paraqesë një aplikim ndërkombëtar, sipas nenit 3;

ii)  çdo ndryshim të emrit ose të adresës së zotëruesit;

iii)  përfaqësuesin e aplikantit ose të zotëruesit, si dhe çdo fakt tjetër, që lidhet me një  përfaqësim të tillë;

iv)  çdo heqje dorë të zotëruesit nga regjistrimi ndërkombëtar, në rastin e një ose të të gjitha palëve kontraktuese të caktuara;

v) çdo kufizim të regjistrimit ndërkombëtar nga zotëruesi, në rastin e një ose të të gjitha palëve kontraktuese të caktuara, të një ose disa projekteve industriale, objekt i regjistrimit ndërkombëtar;

vi) çdo shfuqizim të efekteve të regjistrimit ndërkombëtar nga autoritetet kompetente të një pale kontraktuese të caktuar, në territorin e kësaj pale, në rastin e  një ose të të gjitha projekteve industriale, objekt i regjistrimit ndërkombëtar;

vii. çdo fakt tjetër përkatës, të identifikuar në rregullore, për të drejtat për një ose të gjitha projektet industriale, objekt i regjistrimit ndërkombëtar.

2. Efekti i regjistrimit në regjistrin ndërkombëtar

Çdo regjistrim, i përmendur në nënndarjet (i), (ii), (iv), (v), (vi) dhe (vii) të pikës 1 të këtij neni, do të ketë të njëjtin efekt me regjistrimet e bëra në regjistrin e zyrës së secilës palë kontraktuese, me përjashtim të rastit kur një palë kontraktuese ka njoftuar, me anë të një deklarate, drejtorin e përgjithshëm, se një regjistrim i përmendur në nënndarjen (i) të pikës 1 të këtij neni, nuk do të ketë atë efekt ndaj kësaj pale kontraktuese deri sa zyra e palës kontraktuese të ketë marrë deklaratën dhe dokumentet e përcaktuara në deklaratë.

3. Taksat

Çdo regjistrim i bërë në përputhje me pikën 1 të këtij neni, mund të jetë objekt i pagesës së një takse.

4. Publikimi

Byroja ndërkombëtare duhet të botojë një njoftim për çdo regjistrim të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni dhe një kopje të këtij botimi duhet t’ua dërgojë zyrave të secilës palë kontraktuese të interesuar.

 

Neni 17

Afati fillestar, rinovimi i regjistrimit ndërkombëtar dhe kohëzgjatja e mbrojtjes

 

1. Afati fillestar i regjistrimit ndërkombëtar

Regjistrimi ndërkombëtar do të jetë në fuqi për një afat fillestar prej pesë vjetësh, të llogaritur nga data e regjistrimit ndërkombëtar.

2. Rinovimi i regjistrimit ndërkombëtar

Regjistrimi ndërkombëtar mund të rinovohet për një periudhë tjetër pesëvjeçare, në përputhje me procedurën e parashikuar dhe pasi të jetë paguar taksa e parashikuar.

3. Kohëzgjatja e mbrojtjes së palëve kontraktuese të caktuara

a) Nëse regjistrimi ndërkombëtar rinovohet sipas shkronjës “b” të kësaj pike, kohëzgjatja e mbrojtjes së secilës palë kontraktuese të caktuar do të jetë 15 vjet, duke filluar nga data e regjistrimit ndërkombëtar.

b) Kur legjislacioni i brendshëm i një pale kontraktuese të caktuar parashikon kohëzgjatjen e mbrojtjes për më shumë se 15 vjet, si p.sh. në rastin e një projekti industrial, për të cilin mbrojtja është dhënë sipas këtij ligji, kohëzgjatja e mbrojtjes, kur rinovohet regjistrimi ndërkombëtar, do të jetë e njëjtë me atë të parashikuar në legjislacionin e brendshëm të palës kontraktuese.

c) Secila palë kontraktuese duhet të njoftojë me shkrim drejtorin e përgjithshëm për kohëzgjatjen maksimale të mbrojtjes së parashikuar nga legjislacioni i brendshëm.

4. Mundësia e rinovimit të kufizuar

Rinovimi i regjistrimit ndërkombëtar mund të ketë efekt për njërën ose të gjitha palët kontraktuese të caktuara dhe për njërën ose të gjitha projektet industriale, objekte të regjistrimit ndërkombëtar.

5. Regjistrimi dhe publikimi i rinovimit

Byroja ndërkombëtare i regjistron rinovimet në regjistrin ndërkombëtar dhe, në këtë rast, boton njoftimin përkatës, një kopje të së cilit ia dërgon zyrave të secilës palë kontraktuese të interesuar.

 

Neni 18

Informacion për regjistrimet ndërkombëtare të botuara

 

1. Aksesi ndaj informacionit

Byroja ndërkombëtare duhet të sigurojë,  për çdo person që aplikon, pas pagesës së taksës së caktuar, pjesë nga regjistri ndërkombëtar ose informacion për përmbajtjen e tij, për çdo regjistrim ndërkombëtar të botuar.

2. Përjashtimi nga legalizimi

Pjesët e marra nga regjistri ndërkombëtar, të siguruara nga byroja ndërkombëtare, përjashtohen nga çdo kërkesë për legalizim në secilën palë kontraktuese.

 

KAPITULLI  II

DISPOZITA ADMINISTRATIVE

 

Neni 19

Zyra e përbashkët e disa shteteve

 

1. Njoftimi i zyrës së përbashkët

Nëse disa shtete, të cilat synojnë të bëhen palë e këtij Akti, kanë kërkuar ose nëse disa shtete, palë të këtij Akti, bien dakord që të kërkojnë unifikimin e legjislacionit të tyre të brendshëm për projektet industriale, ato duhet të njoftojnë drejtorin e përgjithshëm se:

i)  një zyrë e përbashkët do të zëvendësojë zyrën kombëtare të secilës prej tyre;

ii) të gjitha territoret e tyre respektive, ku gjen zbatim legjislacioni i unifikuar duhet të jenë një palë kontraktuese e vetme, me qëllim që të zbatohen nenet 1, 3 deri në 18 dhe 31 të këtij Akti.

2. Koha kur duhet të bëhet njoftimi

Njoftimi i përmendur në pikën 1 të këtij neni, duhet të bëhet:

i) në rastin e shteteve, që synojnë të bëhen palë e këtij Akti, në kohën e  depozitimit të instrumenteve, të përcaktuara  në nenin 27 (2);

ii) në rastin e shteteve palë të këtij Akti, në kohën kur hyn në fuqi bashkimi i legjislacionit të tyre të brendshëm.

3. Data e hyrjes në fuqi e njoftimit

Njoftimi, i përmendur në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, hyn në fuqi:

i) në rastin e shteteve, që synojnë të bëhen palë e këtij Akti, në kohën kur  këto shtete bëhen pjesë e këtij Akti;

ii) në rastin e shteteve palë të këtij Akti, tre muaj pas datës kur drejtori i përgjithshëm u ka komunikuar palëve kontraktuese të tjera ose në një datë të mëvonshme, të përcaktuar në njoftim.

 

Neni 20

Anëtarësimi në Unionin e Hagës

 

Palët kontraktuese do të jenë anëtare të të njëjtit Union me shtetet palë të aktit të vitit 1934 ose të aktit të vitit 1960.

 

 Neni 21

Asambleja

 

1. Përbërja

a) Palët kontraktuese duhet të jenë anëtare të së njëjtës asamble me shtetet palë të nenit 2 të aktit plotësues të vitit 1967.

b) Çdo anëtar i asamblesë përfaqësohet në asamble nga një përfaqësues, i cili mund të asistohet nga përfaqësues, këshilltarë dhe ekspertë dhe çdonjëri prej tyre mund të përfaqësojë vetëm një palë kontraktuese.

c)  Anëtarët e Unionit, të cilët nuk janë anëtarë të asamblesë, pranohen në mbledhjet e saj si vëzhgues.

2. Detyrat

a) Asambleja:

i) merret me të gjitha çështjet për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e Unionit dhe zbatimin e këtij Akti;

ii) ushtron të drejtat dhe kryen detyrat që i janë caktuar në bazë të këtij Akti   dhe të aktit plotësues të vitit 1967;

iii)  udhëzon drejtorin e përgjithshëm për përgatitjet për konferencat e  revizionimit dhe vendos për mbledhjen e çdo konference të tillë;

iv) ndryshon rregulloret;

v) shqyrton e miraton raportet dhe veprimtaritë e drejtorit të përgjithshëm në lidhje me Unionin dhe i jep atij të gjitha udhëzimet e nevojshme për çështje, që janë në kompetencë të Unionit;

vi) përcakton programin dhe miraton buxhetin dyvjeçar të Unionit, si dhe miraton shpenzimet financiare të këtij Unioni;

vii) miraton rregulloret financiare të Unionit;

viii) krijon komitete dhe grupe pune, të cilat i vlerëson të domosdoshme e të përshtatshme për arritjen e objektivave të Unionit;

ix) përcakton në mbështetje të shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 21  të këtij Akti, shtete, organizata, ndërqeveritare dhe joqeveritare, që do t’i pranojë në mbledhjet e saj si vëzhgues;

x) ndërmerr çdo veprim tjetër të përshtatshëm për të realizuar objektivat e Unionit dhe kryen të gjitha funksionet e tjera, në bazë të këtij Akti.

b) Për çështje që u interesojnë unioneve të tjera, të administruara nga organizatat, asambleja do t’i marrë vendimet pasi të ketë dëgjuar këshillin e komitetit koordinues të organizatës.

3. Kuorumi

a) Gjysma e anëtarëve të asamblesë, të cilat janë shtete dhe kanë të drejtë të votojnë për një çështje të caktuar, përbëjnë numrin e nevojshëm për të marrë vendim për një çështje përmes votimit.

b) Pavarësisht nga dispozitat e shkronjës “a” të kësaj pike, asambleja mund të marrë vendime edhe nëse, në një seancë votimi, numri i anëtarëve të pranishëm të saj, që janë shtete e që kanë të drejtë të votojnë për një problem të caktuar, është më i vogël se gjysma, por sa ose më shumë se një e treta e anëtarëve të asamblesë, të cilat janë shtete dhe kanë të drejtë të votojnë për këtë çështje, me përjashtim të vendimeve që kanë të bëjnë me procedurën e kësaj asambleje. Në këtë rast vendimet do të hyjnë në fuqi vetëm nëse përmbushen kushtet e parashtruara në këtë akt. Byroja ndërkombëtare do t’ua komunikojë këto vendime shteteve anëtare të asamblesë, që kanë të drejtën e  votës për çështjen në fjalë, por që nuk ishin të pranishëm, duke u kërkuar atyre, që, brenda një periudhe tremujore nga data e komunikimit të shprehin me shkrim votën ose abstenimin. Pas skadimit të kësaj periudhe, nëse numri i këtyre anëtarëve, të cilët e kanë shprehur pozitivisht votën e tyre ose kanë abstenuar, është sa numri i anëtarëve, i nevojshëm për të arritur kuorumin në seancë, vendimet do të hyjnë në fuqi, me qëllim që, në të njëjtën kohë të përftohet shumica e kërkuar.

4. Marrja e vendimeve në asamble

a) Asambleja duhet të përpiqet t’i marrë vendimet me konsensus.

b) Kur një vendim nuk mund të arrihet me konsensus, çështja në fjalë do të vendoset me anë të votës. Kur ndodh që të vendoset me anë të votës:

i) çdo palë kontraktuese, që është një shtet, ka një votë dhe do të votojë   vetëm në emër të saj;

ii)  çdo palë kontraktuese, që është një organizatë ndërqeveritare, mund të  votojë në vend të shteteve anëtare të saj, me një numër të barabartë votash  me numrin e shteteve anëtare, palë të këtij Akti, dhe asnjë organizatë e tillë nuk do të marrë pjesë në votim, nëse njëra nga shtetet anëtare të saj e ushtron të drejtën e votës dhe e kundërta.

c) Për çështje, që kanë të bëjnë vetëm me shtetet, që parashikohen në nenin 2 të  aktit plotësues të vitit 1967, palët kontraktuese, të cilat nuk parashikohen në  nenin e sipërpërmendur, nuk kanë të drejtën e votës, ndërsa për çështje, që kanë   lidhje vetëm me palët kontraktuese, kanë të drejtën e  votës vetëm këto të fundit.

5. Shumica

a) Sipas pikave 2 të neneve 24 e 26, vendimet e asamblesë merren vetëm me dy të tretat e votave.

b) Abstenimet nuk vlerësohen si vota.

6. Sesionet

a) Asambleja mblidhet një herë në çdo vit të dytë kalendarik, në sesione të zakonshme, me  thirrjen e drejtorit të përgjithshëm dhe, në raste të zakonshme, mund të mblidhet në të njëjtën periudhë dhe në të njëjtin vend me Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës.

b) Asambleja mblidhet, në seanca të jashtëzakonshme, me  nismën  e drejtorit të përgjithshëm ose me kërkesën e një të katërtës së anëtarëve të saj.

c) Axhenda e çdo seance përgatitet nga drejtori i përgjithshëm.

7. Rregullat  procedurale

Asambleja miraton rregullat e veta procedurale.

 

Neni 22

Byroja ndërkombëtare

 

1. Detyrat administrative

a) Regjistrimi ndërkombëtar dhe detyrat që lidhen me të, si dhe të gjitha detyrat e  tjera administrative, në lidhje me Unionin, kryhen nga byroja ndërkombëtare.

b) Byroja ndërkombëtare përgatit kryesisht mbledhjet dhe ngre sekretariatin e  asamblesë, të komiteteve të ekspertëve dhe të grupeve të punës, që mund të  krijohen nga asambleja.

2. Drejtori i përgjithshëm

Drejtori i përgjithshëm është  kryetari ekzekutiv i Unionit, si dhe përfaqësuesi i këtij Unioni në çdo veprimtari.

3. Mbledhjet jashtë seancave të asamblesë

Drejtori i përgjithshëm ka detyrë të mbledhë çdo komitet dhe grup pune, të ngritur nga asambleja dhe drejton të gjitha mbledhjet e tjera, që kanë të bëjnë me problemet e Unionit.

4. Roli i byrosë ndërkombëtare në asamble dhe mbledhje të tjera

a) Drejtori i përgjithshëm dhe personat e caktuar nga ai, marrin pjesë pa të drejtë vote në të gjitha mbledhjet e asamblesë, të komiteteve dhe të grupeve të   punës, të krijuara nga asambleja dhe në çdo mbledhje tjetër, të thirrur nga drejtori i përgjithshëm, për problemet e Unionit.

b) Drejtori i përgjithshëm ose një anëtar i stafit, i caktuar nga ai, do të jetë ex officio sekretar i asamblesë, i komiteteve, i grupeve të punës dhe i mbledhjeve të tjera, të cilat përmenden në shkronjën “a” të kësaj pike.

5. Konferencat

a)  Byroja ndërkombëtare, në përputhje me udhëzimet e asamblesë, bën përgatitjet për çdo konferencë revizionuese.

b) Byroja ndërkombëtare mund të këshillohet me organizata ndërqeveritare dhe joqeveritare, ndërkombëtare dhe kombëtare, për  këto përgatitje.

c) Drejtori i përgjithshëm dhe personat e caktuar nga ai, marrin pjesë pa të drejtë vote, në diskutime në konferencat e revizionimit.

6. Detyra të tjera

Byroja ndërkombëtare kryen edhe çdo detyrë tjetër, që i është caktuar lidhur me këtë Akt.

 

Neni 23

Financat

 

1. Buxheti

a) Unioni ka buxhetin e vet.

b) Buxheti përfshin të ardhurat dhe shpenzimet e Unionit, si dhe kontributin e tij për buxhetin e shpenzimeve të zakonshme të unioneve, të administruara nga   organizata.

c) Shpenzimet, të cilat nuk kanë të bëjnë ekskluzivisht vetëm me Unionin, por me një ose më shumë unione të tjera, të administruara nga organizata, do të vlerësohen si shpenzime të zakonshme të tyre. Kontributi për shpenzime të tilla të zakonshme përcaktohet në bazë të  interesave të vetë Unionit.

2. Bashkërendimi i buxhetit me buxhetet e unioneve të tjera

Buxheti i Unionit do të përcaktohet, duke pasur parasysh kërkesat e bashkërendimit me buxhetet e unioneve të tjera, të administruara nga organizata.

3. Burimet e financimit të buxhetit

Buxheti i Unionit financohet nga burimet e mëposhtme:

a) Taksat për regjistrimet ndërkombëtare;

b) Pagesat për shërbimet e Unionit për byronë ndërkombëtare;

c) Shitjet ose shumat e paguara për botimet e byrosë ndërkombëtare për Unionin;

ç) Dhuratat, trashëgimitë dhe donacionet;

d) Qiratë, interesat dhe të ardhura të tjera, të ndryshme.

4. Caktimi i taksave dhe i pagesave; niveli i buxhetit

a) Niveli i taksave, që përmenden në shkronjën “a” të pikës 3 të këtij neni, caktohet nga asambleja, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm, ndërsa pagesat, që përmenden në shkronjën “b” të pikës 3 të këtij neni, caktohen nga drejtori i përgjithshëm dhe do të zbatohen përkohësisht deri në miratimin e asamblesë, në sesionin e saj të ardhshëm.

b) Niveli i taksave, të cilat përmenden në shkronjën “a” të pikës 3 të këtij neni, do të caktohet në mënyrë të tillë, që të ardhurat e Unionit, nga taksat dhe  burimet e tjera, të jenë të mjaftueshme për të mbuluar, së paku, shpenzimet që do të bëjë byroja ndërkombëtare për Unionin.

c) Nëse buxheti nuk miratohet përpara fillimit të periudhës së re financiare, ai do të qëndrojë në të njëjtin nivel me buxhetin e vitit të mëparshëm, siç parashikohet në rregulloret financiare.

5. Fondi kapital i punës

Unioni është i detyruar të krijojë një fond kapital pune, i cili përbëhet nga pagesa e akcizave dhe, nëse nuk ka të tilla, nga një pagesë e vetme, e bërë nga çdo anëtar i Unionit. Nëse fondi është i pamjaftueshëm, asambleja vendos ta rrisë atë. Niveli dhe afatet e pagesës përcaktohen nga asambleja, me propozimin e drejtorit të përgjithshëm.

6. Paradhënia nga shteti mikpritës

a) Në rastin kur një marrëveshje arrihet në territorin e shtetit, ku ka selinë qendrore organizata dhe fondi kapital i punës është i pamjaftueshëm, në këtë rast është parashikuar që shteti në fjalë t’i japë paradhënie, shuma dhe kushtet e së cilës përcaktohen, në çdo rast, me një marrëveshje të veçantë, ndërmjet shtetit në fjalë dhe organizatës.

b) Shteti, i përmendur në shkronjën  “a” të kësaj pike dhe organizata ka secila të drejtë të denoncojë me shkrim detyrimin për të dhënë paradhënie. Njoftimi hyn në fuqi tre vjet pas fundit të vitit, në të cilin ajo është njoftuar.

7. Auditimi i llogarive

Auditimi i llogarive kryhet nga një ose më shumë shtete anëtare të Unionit apo nga auditë të jashtëm, sikurse parashikohet në rregulloret financiare. Ata caktohen nga asambleja, me pëlqimin e tyre.

 

Neni 24

Rregulloret

 

1. Objekti

Rregulloret përmbajnë hollësi për zbatimin e këtij Akti dhe, në mënyrë të veçantë, përfshijnë dispozitat për:

a) çështjet, që parashikon shprehimisht ky Akt;

b) hollësi të mëtejshme ose çdo hollësi në dobi të zbatimit të dispozitave të këtij Akti;

c) çdo kërkesë, çështje a procedurë administrative.

2. Ndryshimi i dispozitave të rregulloreve

Rregulloret mund të përcaktojnë se dispozitat e tyre mund të ndryshojnë vetëm me unanimitet ose vetëm me katër të pestat e shumicës, dhe:

a) Unanimiteti kërkohet me qëllim që kërkesa për unanimitet apo për katër të pestat e shumicës të mos zbatohet më, në të ardhmen, për ndryshimin e një dispozite të rregulloreve.

b) Katër të pestat e shumicës kërkohet me qëllim që kërkesa e unanimitetit apo me katër të pestat e shumicës të zbatohet në të ardhmen për ndryshimin e një dispozite të rregulloreve.

3. Konflikti ndërmjet këtij Akti dhe rregulloreve

Në rast konflikti ndërmjet dispozitave të këtij Akti dhe dispozitave të rregulloreve do të mbizotërojë e para.

 

KAPITULLI  III

RISHIKIMI DHE NDRYSHIMI

 

Neni 25

Rishikimi i këtij Akti

 

1. Konferencat për rishikimin

Ky Akt mund të rishihet në një konferencë të palëve kontraktuese.

2. Rishikimi ose ndryshimi i disa neneve

Nenet 21, 22, 23 e 26 mund të ndryshohen nga një konferencë rishikimi ose nga asambleja, sipas dispozitave të nenit 26.

 

Neni 26

Ndryshimi i disa neneve nga asambleja

 

1. Propozimet për ndryshime

a) Propozimet për ndryshimet nga asambleja të neneve 21, 22, 23 e 26 të këtij Akti, mund të paraqiten nga çdo palë kontraktuese ose nga drejtori i përgjithshëm.

b) Propozimet për këto ndryshime u  komunikohen palëve kontraktuese nga drejtori i përgjithshëm, të paktën gjashtë muaj para se të shqyrtohen nga asambleja.

2. Shumica

Miratimi i ndryshimeve të neneve, të përmendura në pikën 1 të këtij neni, bëhet me tre të katërtat e shumicës, me përjashtim të ndryshimit të nenit 21 ose të kësaj pike, për të cilat nevojiten katër të pestat e shumicës.

3. Hyrja në fuqi

a) Me përjashtim të rasteve ku  zbatohet përcaktimi i bërë në shkronjën “b”, çdo ndryshim i neneve, të përcaktuara në pikën 1, hyn në fuqi një muaj pasi drejtori i përgjithshëm ka marrë njoftimin me shkrim, në përputhje me proceset kushtetuese respektive, për pranimin nga tre të katërtat e palëve kontraktuese, të cilat, në kohën e miratimit të ndryshimit, kanë qenë anëtare  të asamblesë dhe kishin të drejtën e votës për këtë ndryshim.

b) Çdo ndryshim i pikave 3 ose 4 të nenit 21 të këtij Akti ose ndryshimi i kësaj shkronje nuk do të hyjë në fuqi, nëse, brenda gjashtë muajve nga miratimi i tij nga asambleja, njëra nga palët kontraktuese njofton drejtorin e përgjithshëm  se nuk e pranon këtë ndryshim.

c) Çdo ndryshim, që hyn në fuqi në përputhje me dispozitat e kësaj pike do të respektohet nga të gjitha shtetet dhe organizatat ndërqeveritare, të cilat janë palë kontraktuese në kohën, që hyn në fuqi ndryshimi ose që bëhen palë kontraktuese në një datë të mëvonshme.

 

KAPITULLI  IV

DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

 

Neni 27

Bërja palë e këtij Akti

 

1. Përfshirja si palë

Në mbështetje të pikave 2 e 3 të nenit 28 të këtij Akti:

i) çdo shtet, anëtar i organizatës, mund ta nënshkruajë këtë Akt dhe të bëhet palë e tij;

ii)  çdo organizatë ndërqeveritare, e cila ka një zyrë, ku mund të realizohet mbrojtja e projekteve industriale, në territorin ku zbatohet traktati kushtetues i organizatës ndërqeveritare, mund ta nënshkruajë këtë Akt dhe të bëhet palë e tij, me kusht që, së paku, njëra nga shtetet anëtare të  organizatës ndërqeveritare të jetë anëtare e saj dhe që një zyrë e tillë të mos jetë objekt i një njoftimi, sipas nenit 19 të këtij Akti.

2. Ratifikimi ose aderimi

Çdo organizatë shtetërore ose ndërqeveritare, sipas pikës 1 të këtij neni, mund të depozitojë:

i) një instrument ratifikimi, nëse e ka nënshkruar këtë Akt;

ii) një instrument aderimi, nëse e ka nënshkruar këtë Akt.

3. Data efektive e depozitimit

a) Në bazë të shkronjave “a”,”b” e “c” deri te shkronja “d” të kësaj pike, data efektive e depozimit të një instrumenti ratifikimi ose aderimi do të jetë data e depozitimit të këtij instrumenti.

b) Data e efektshme e depozitimit të një instrumenti raktifikimi ose aderimi të çdo shteti, për të cilin mbrojtja e projekteve industriale mund të fitohet vetëm përmes zyrës së një organizate ndërqeveritare, anëtare e së cilës është ai shtet, do të jetë data kur do të depozitohet instrumenti i kësaj organizate ndërqeveritare, nëse kjo datë është e mëvonshme se data kur është depozituar instrumenti i shtetit në fjalë.

 

c) Data e efektshme e depozitimit të çdo instrumenti raktifikimi ose aderimi, që përmban ose shoqërohet me njoftim, në përputhje me nenin 19 të këtij akti, do të jetë data e depozitimit të instrumentit të fundit të shteteve anëtare të grupit të shteteve, që e kanë bërë njoftimin.

d) Çdo instrument ratifikimi ose aderimi i një shteti, që përmban ose shoqërohet me një deklaratë, do të vlerësohet i depozituar, me kusht që  instrumenti i një shteti tjetër a i një organizate ndërqeveritare, apo instrumentet e dy shteteve të tjera a të një shteti tjetër dhe të një organizate ndërqeveritare, të përcaktuara me emër e që kanë të drejtën të jenë palë e këtij Akti, të jenë, gjithashtu, të depozituara. Instrumenti, që përmban ose shoqërohet me një deklaratë, vlerësohet i depozituar ditën kur plotësohet kushti i përcaktuar në deklaratë. Megjithatë, kur një instrument i përcaktuar në deklaratë përmban ose shoqërohet me një deklaratë të këtij lloji, ai vlerësohet i depozituar ditën kur plotësohet kushti i përcaktuar në deklaratën e fundit.

dh) Çdo deklaratë e bërë në përputhje me përcaktimet në shkronjën “d” mund të     tërhiqet, tërësisht ose pjesërisht, në çdo kohë. Çdo tërheqje sa më sipër është e efektshme ditën, kur drejtori i përgjithshëm merr njoftimin e tërheqjes.

 

Neni 28

Data e efektshme e ratifikimeve dhe e aderimeve

 

1. Instrumentet që merren parasysh

Për qëllime të këtij neni shqyrtohen vetëm ato instrumente ratifikimi ose aderimi, të cilat janë depozituar nga shtetet ose organizatat ndërqeveritare që përcaktohen në pikën 1 të nenit 27 të këtij Akti dhe që datën e efektshme e kanë në përputhje me pikën 3 të nenit 27.

2. Hyrja në fuqi e këtij Akti

Ky Akt hyn në fuqi tre muaj pasi të kenë depozituar instrumentet e tyre të ratifikimit ose të aderimit gjashtë shtete, me kusht që tre prej tyre të përmbushin, së paku, njërën nga kushtet e mëposhtme:

i) të kenë të regjistruar, në shtetin ose për shtetin e interesuar, për mbrojtjen e projekteve industriale të paktën 3 000 aplikantë;

ii) të jenë të regjistruar, në shtetin ose për shtetin e interesuar,  për mbrojtjen e projekteve industriale, të paktën 1 000 aplikantë, pjesa më e madhe  të jenë banorë të shteteve të tjera dhe jo të atij shteti.

3. Hyrja në fuqi e ratifikimeve dhe e aderimeve

a) Çdo shtet a organizatë ndërqeveritare, që i ka depozituar instrumentet e ratifikimit a të aderimit tre muaj ose edhe më shumë përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij Akti, do të jetë pjesë e tij  në datën e hyrjes në fuqi të këtij Akti.

b) Çdo shtet tjetër apo organizatë ndërqeveritare do të jetë pjesë e këtij Akti tre muaj pas datës së depozitimit të instrumentit të ratifikimit a të aderimit ose në një datë tjetër të mëvonshme, të përcaktuar në atë instrument.

 

Neni 29

Ndalimi i rezervimeve

 

Te ky Akt nuk lejohet asnjë rezervim.

 

Neni 30

Deklaratat e palëve kontraktuese

 

1. Koha kur mund të bëhen deklaratat

Çdo deklaratë, në mbështetje të neneve 4(1)(b),5(2)(a),7(2),11(1),13(1),14(3),16(2) dhe17 (3), mund të bëhet:

i) në kohën e depozitimit të instrumentit, të përcaktuar në pikën 2 të nenit 27 të këtij Akti, ku në këtë rast, do të bëhet efektive në datën kur shteti a organizata ndërqeveritare, që ka bërë deklaratën, do të bëhet pjesë e Aktit;

ii) pas depozitimit të një instrumenti, të përcaktuar në pikën 2 të nenit 27 të këtij Akti dhe, në këtë rast, do të bëhet efektive tre muaj pas datës së marrjes së saj nga drejtori i përgjithshëm ose në një datë të mëvonshme të përcaktuar në deklaratë. Por do të zbatohet vetëm për një regjistrim ndërkombëtar, data e të cilit është e njëjtë a e mëvonshme me datën efektive të deklaratës.

2. Deklaratat nga shtetet me një zyrë të përbashkët

Pavarësisht nga sa u përcaktua në pikën më sipër, çdo deklaratë, sipas përcaktimeve të pikës 1 të këtij neni e bërë nga një shtet, i cili, së bashku me një shtet tjetër ose me shtete të tjera, ka njoftuar drejtorin e përgjithshëm, në përputhje me pikën 1 të nenit 19 të këtij Akti, për zëvendësimin e zyrës së përbashkët me zyrat e tyre kombëtare, do të bëhet efektive vetëm nëse shteti tjetër ose shtetet e tjera bëjnë edhe ata një deklaratë a deklarata të njëjta.

3. Tërheqja e deklaratave

Çdo deklaratë, sipas pikës 1 të këtij neni, mund të tërhiqet në çdo kohë pas një njoftimi te drejtori i përgjithshëm. Tërheqja në këtë rast hyn në fuqi tre muaj pas datës së njoftimit të drejtorit të përgjithshëm ose në një datë tjetër të mëvonshme, të përcaktuar në njoftim. Në rastin e një deklarate të bërë sipas pikës 2 të nenit 7, tërheqja nuk do të ndikonte mbi aplikimet ndërkombëtare, të paraqitura përpara hyrjes në fuqi të kësaj tërheqjeje.

 

Neni 31

Zbatueshmëria e akteve të vitit 1934 dhe atij të vitit 1960

 

1. Marrëdhëniet ndërmjet shteteve palë të këtij Akti dhe të akteve të vitit 1934 dhe 1960

Ky Akt do të zbatohet vetëm në marrëdhëniet dypalëshe të shteteve palë të këtij Akti dhe të akteve të vitit 1934 dhe 1960. Megjithatë, këto shtete mund të zbatojnë në marrëdhëniet e tyre dypalëshe aktin e vitit 1934 ose atë të vitit 1960, në rastin e projekteve industriale, të depozituara në byronë ndërkombëtare, përpara datës kur ky Akt do të bëhet i zbatueshëm në marrëdhëniet e tyre të ndërsjella.

2. Marrëdhëniet ndërmjet shteteve palë si të këtij Akti, edhe të akteve të vitit 1934 dhe  të 1960-s dhe shteteve palë të aktit të vitit 1934 ose atij të vitit 1960, të cilët nuk janë palë të këtij Akti

a) Çdo shtet, i cili është palë e këtij Akti dhe i aktit të vitit 1934, do të vazhdojë të zbatojë aktin e vitit 1934, në marrëdhëniet e tij me shtetet palë të aktit të vitit 1934, pa qenë palë e aktit të vitit 1960 ose e këtij Akti;

b) Çdo shtet palë i këtij Akti, por edhe i aktit të vitit 1960, do të vazhdojë të zbatojë aktin e vitit 1960, në marrëdhëniet e tij me shtetet palë të aktit të vitit 1960, pa qenë palë e këtij Akti.

 

Neni 32

Denoncimi i aktit

 

1. Njoftimi

Çdo palë kontraktuese mund ta denoncojë këtë Akt me anë të një njoftimi drejtuar drejtorit të përgjithshëm.

2. Data e efektshme

Denoncimi hyn në fuqi një vit pas datës në të cilën drejtori i përgjithshëm ka marrë njoftimin ose në një datë të mëvonshme, të përcaktuar në njoftim. Denoncimi në këtë rast nuk ndikon në zbatimin e këtij Akti për çdo aplikim të ardhshëm ndërkombëtar apo në çdo regjistrim ndërkombëtar në fuqi.

 

Neni 33

Gjuhët e aktit dhe nënshkrimi

 

1. Tekstet origjinale; tekstet zyrtare

a) Ky akt do të nënshkruhet në një origjinal të vetëm, në gjuhët: anglisht, arabisht, kineze, frëngjisht, rusisht dhe spanjisht, të gjitha tekstet do të kenë vlerë të barabartë.

b) Tekstet zyrtare do të përcaktohen nga Drejtori i Përgjithshëm, pas këshillimeve me qeveritë e interesuara, në gjuhën që do të përcaktojë asambleja.

2. Afati i nënshkrimit

Ky Akt do të mbetet i hapur për nënshkrim në selinë qendrore të organizatës deri në një vit pas miratimit të tij.

 

 

 

 

Neni 34

Depozitari

 

Drejtori i përgjithshëm është depozitari i këtij Akti.

 

 

 


 

 


[1][1] Konferenca diplomatike, kur e miratoi, e dinte se neni 10 nuk e pengonte aksesin ndaj aplikimit ndërkombëtar apo regjistrimin ndërkombëtar nga aplikanti, zotëruesi ose personi, që ka marrë pëlqimin e aplikantit a të zotëruesit.

 

[2][2] Kur konferenca diplomatike miratoi nenet 12 (4) e 14 (2) (b), si dhe rregullin 18 (4),  kuptoi se tërheqja e refuzimit nga një zyrë, e cila ka komunikuar njoftimin e refuzimit, mund të marrë formën e një deklarate, nëse zyra e interesuar ka vendosur të pranojë pasojat e regjistrimit ndërkombëtar për njërin apo disa nga projektet industriale, për të cilat është bërë njoftimi i refuzimit. Gjithashtu, konferenca  kuptoi se një zyrë mund të dërgojë, brenda periudhës së lejuar për komunikimin e njoftimit të refuzimit, një deklaratë, ku të theksohet se ajo ka vendosur t’i pranojë pasojat e regjistrimit ndërkombëtar edhe kur nuk ka komunikuar një njoftim të tillë refuzimi.

 

    • December 2024
      Mon Tue Wed Thu Fri Sat Sun
      « Sep    
       1
      2345678
      9101112131415
      16171819202122
      23242526272829
      3031  
  • IP4all Weekly Bulletin

    You can subscribe to the weekly IP4ALL Bulletin.

  • IP Consulting Ltd. - Intellectual Property Consulting Agency
  • Landmark-TP
  • Ivan Georgiev - Rembrand
  • Global IP Attorneys - The world's leading address guide for patent,  trademark, copyright, intellectual property and IP attorneys. In just a few steps you can find your agency for registration and protection of your intellectual property, patent, design, copyright or trademark.
  • The Professional Sector Network is a referral and networking group that caters exclusively to leading firms with a history of excellence in the business, advisory and investment sectors.
  • Online source of information for the events and developments in the field of intellectual property worldwide
  • Jobs in USA
  • Become our partners
  • IP Basis®

  • IP Guide®