PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN NDËRKOMBËTARE “PËR MBROJTJEN E VARIETETEVE TË REJA TË BIMËVE”(2005)

LIGJ

Nr. 9395, datë 12.5.2005

PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KONVENTËN NDËRKOMBËTARE “PËR MBROJTJEN E VARIETETEVE TË REJA TË BIMËVE”

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 121 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1

Republika e Shqipërisë aderon në “Konventën Ndërkombëtare “Për mbrojtjen e varieteteve të reja të bimëve””, bërë në Gjenevë më 19 mars 1991.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.4600, datë 1.6.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu

Konventë ndërkombëtare

për mbrojtjen e varietetve të reja të bimëve e 2 dhjetorit 1961 e rishikuar në gjenevë më 10 nëntor 1972, 23 dhjetor 1978 dhe 19 mars 1991

KAPITULLI  I

 PERKUFIZIME

Neni 1

Për qëllime të këtij akti :

i) “Kjo Konventë” nënkupton aktin e tanishëm (1991) të Konventës ndërkombëtare për mbrojtjen e varieteteve të reja të bimëve;

ii) “Akti i 1961/1972” nënkupton Konventën ndërkombëtare për mbrojtjen e varieteteve të reja të 2 dhjetorit 1961, siç është amenduar me aktin shtesë të 10 nëntorit 1972;

iii) Akti i 1978 nënkupton aktin e 23 tetorit 1978, të Konventës ndërkombëtare për mbrojtjen e varieteteve të reja të bimëve;

iv) “Seleksionues” nënkupton:

– personin i cili seleksionon ose zbulon dhe zhvillon një varietet;

– personin i cili është i punësuar te  një person i lartpërmendur ose i cili ka autorizuar punën e këtij të fundit  kur e lejojnë ligjet e Palës Kontraktuese, ose pasuesin në titull të personit të parë ose të dytë të sipërpërmendur, sipas rastit.

– pasuesin në titull të personit të parë ose të dytë të sipërpërmendur, sipas rastit;

v) “E drejta e seleksionuesit” nënkupton të drejtën e seleksionuesit që garantohet në këtë Konventë;

vi) “Varietet” nënkupton një grup bimësh në një taksonomi të vetme botanike të rangut më të ulët, grup i cili, pavarësisht nëse një e drejtë për këtë i është garantuar plotësisht një seleksionuesi, mund të jetë:

– përcaktuar nga shprehja e karakteristikave që rezultojnë nga një genotip i dhënë ose kombinim genotipesh;

– i dallueshëm nga ndonjë grup tjetër bimësh me shprehjen e të paktën një prej karakteristikave, dhe

– konsideruar si një njësi lidhur me përshtatshmërinë për të qenë i pandryshuar.

vii) “Palë Kontraktuese” nënkupton  një shtet ose një organizatë  ndërqeveritare  palë me këtë Konventë;

viii) “Territori”,  në lidhje me një Palë Kontraktuese, nënkupton një territor të këtij shteti kur  Pala Kontraktuese është një shtet dhe një territor, në të cilin traktati themelues i kësaj organizate ndërqeveritare zbatohet kur Pala Kontraktuese është një organizatë ndërqeveritare;

ix) “Autoriteti” nënkupton autoritetin referuar në nenin 30 (1) (ii);

x) ”Bashkimi” nënkupton Bashkimin për Mbrojtjen e Varieteteve të Reja të Bimëve themeluar me aktin e 1961, aktin e 1978 dhe këtë Konventë;

xi) “Anëtar i Bashkimit” nënkupton një Shtet Palë në aktin e 1961/1972 ose aktin 1978,  ose një Palë Kontraktuese.

KAPITULLI II

DETYRIMET E PëRGJITHSHME të PalëVE KONTRAKTUESE

Neni 2

Detyrimet  bazë të Palëve Kontraktuese

Çdo Palë Kontraktuese do të japë dhe mbrojë të drejtat e seleksionuesit.

Neni 3

Gjinia dhe speciet që mbrohen

1. (Shtetet tashmë anëtare të Bashkimit) – Çdo Palë Kontraktuese e cila është lidhur me aktin e 1961/1972 ose aktin e 1978, do të zbatojë dispozitat e kësaj Konvente:

i) në datën në të cilën ai bëhet i lidhur nga kjo Konventë për të gjitha gjinitë e bimëve dhe specieve për të cilat zbatohet në atë datë, dispozitat e aktit të 1961/1972 ose aktit të 1978 dhe

ii) jo më vonë se skadimi i periudhës 5 vjet pas kësaj date për të gjitha gjinitë e bimëve dhe specieve.

2. (Anëtarët e rinj të Bashkimit) – Çdo Palë Kontraktuese, e cila nuk është lidhur nga akti i 1961/1972 ose akti i 1978, do të zbatojë dispozitat e kësaj Konvente:

i) në datën në të cilën ai bëhet i lidhur nga kjo Konventë për të paktën 15 gjini bimësh ose speciesh dhe

ii) jo më vonë nga skadimi i një periudhe 10-vjeçare nga kjo datë për të gjitha gjinitë dhe speciet.

Neni 4

Trajtimi kombëtar

1. (Trajtimi) – Pa paragjykim për të drejtat e specifikuara në këtë Konventë, shtetasit e një Pale Kontraktuese, personat fizikë rezidentë, si dhe personat juridikë që kanë zyrat e tyre të regjistruara në territorin e një Pale Kontraktuese, për aq sa dhënia dhe mbrojtja e të drejtave të seleksionuesit përfshihet, gëzojnë në territorin e çdo Pale Kontraktuese tjetër të njëjtin trajtim siç u është garantuar ose mundet në të ardhmen t’u garantohet me ligj nga kjo Palë Kontraktuese shtetasve të tij, me kusht që këta shtetas, persona fizikë dhe persona juridikë të përputhen me kushtet dhe formalitetet e parashikuara për shtetasit e Palës tjetër Kontraktuese.

2. (Shtetasit) Për qëllimet e paragrafëve të mëparshëm, “shtetas” nënkupton shtetasit e këtij shteti kur Palë Kontraktuese është një shtet, dhe shtetasit e shteteve të cilët janë palë të kësaj organizate kur Pala Kontaktuese është një organizatë ndërqeveritare.

KAPITULLI III

Neni 5

Kushtet e mbrojtjes

1. (Kriteri për t’u plotësuar) – E drejta e seleksionuesit do të jepet kur varieteti është:

i) ri,

ii) i dallueshëm,

iii) uniform,

iv)  i qëndrueshëm.

2. (Kushte të tjera) Dhënia e së drejtës seleksionuesit nuk do të jetë subjet i ndonjë kushti tjetër ose të ndryshëm, me kusht që varieteti të jetë caktuar nga një emërtim në përputhje me dispozitat e nenit 20, që aplikanti është në përputhje me formalitetet e ligjit të Palës Kontraktuese tek autoriteti të cilit është bërë aplikimi dhe që ai paguan tarifën  e kërkuar.

Neni 6

Risitë

1. (Kriteri) Varieteti do të gjykohet të jetë i ri në qoftë se në datën e plotësimit të aplikimit për një të drejtë seleksionuesi, materiali shumëzues ose materiali i vjelur i varietetit nuk është shitur ose paraqitur para të tjerëve, nga ose me miratim të seleksionuesit, me qëllim shfrytëzimin e varieteteve:

i) në territorin e Palës Kontraktuese në të cilën aplikimi është plotësuar më herët sesa një vit përpara asaj date dhe

ii) në një territor tjetër nga ai i Palës Kontraktuese në të cilin aplikimi ka qenë plotësuar më herët se 4 vjet para datës në fjalë.

2. (Varietetet e krijuara së fundmi) – Kur një Palë Kontraktuese zbaton këtë Konventë për një bimë-genus ose specie për të cilën ai nuk ka zbatuar më parë këtë Konventë ose një akt të mëparshëm, ai mund ta konsiderojë një varietet të krijuar së fundmi, që ekziston në datën e një shtrirjeje të tillë të mbrojtjes, për të plotësuar kushtin e gjësë së re të përcaktuar në paragrafin (i) edhe kur shitja ose disponimi për të tjerët të përshkruar në këtë paragraf ndodh më herët sesa koha limit e përcaktuar në këtë paragraf.

3. (“Territori” në disa raste) – Për qëllimet e paragrafit (1), të gjitha Palët Kontraktuese të cilat janë shtete anëtare të së njëjtës organizatë ndërqeveritare mund të veprojnë së bashku, kur rregulloret e kësaj organizate e kërkojnë këtë gjë, për të asimiluar akte të bëra në territoret e shteteve anëtare të kësaj organizate në aktet e bëra në territoret e tyre, dhe nëse veprojnë kështu, ato do të njoftojnë Sekretarin e Përgjithshëm.

Neni 7

Dallueshmëria

Varieteti do të gjykohet të jetë i dallueshëm në qoftë se ai është i dallueshëm qartë nga ndonjë varietet tjetër, ekzistenca e të cilit është një çështje e njohjes së përbashkët në kohën e plotësimit të aplikimit. Në veçanti, plotësimi i një aplikimi për dhënien e së drejtës së seleksionuesit ose për futjen e një varieteti tjetër në një regjistër zyrtar varietetesh, në çdo vend, do të gjykohet të bëjë atë varietet çështje të  një njohjeje të përbashkët nga data e aplikimit, me kusht që aplikimi të çojë në dhënien e së drejtës së seleksionuesit ose hyrjen e varietetit tjetër në një regjistër zyrtar varietetesh siç mund të jetë rasti.

Neni 8

Uniformiteti

Varieteti do të gjykohet të jetë uniform nëse, bazuar në ndryshimet e pritura nga tiparet e veçanta pas shumëzimit të tij, ai është në mënyrë të mjaftueshme uniform me karakteristikat e tij respektive.

Neni 9

Stabiliteti

Varieteti do të gjykohet të jetë i qëndrueshëm nëse karakteristikat e tij respektive mbesin të pandryshueshme pas shumëzimit të përsëritur ose në rastin e një cikli të veçantë shumëzimi, në fund të çdo cikli të tillë.

KAPITULLI IV

APLIKIMI për DHëNIEN E Së DREJTES SË SELEKSIONUESIT

Neni 10

Plotësimi i aplikimeve

1. (Vendi i aplikimit të parë) – Seleksionuesi mund të zgjedhë Palën Kontraktuese me autoritetin e së cilës ai dëshiron të plotësojë aplikimin e tij të parë për një të drejtë seleksionuesi.

2. (Koha e aplikimeve vijuese)- Seleksionuesi mund të aplikojë me autoritetin e Palëve të tjera Kontraktuese për të drejtat e seleksionuesit në pritje të dhënies të së drejtes së seleksionuesit nga autoriteti i Palës Kontraktuese me të cilin aplikimi i parë ishte plotësuar.

3. (Pavarësia e mbrojtjes)- Asnjë Palë Kontraktuese nuk do të refuzojë të japë një të drejtë seleksionuesi ose të kufizojë  zgjatjen e tij në bazë të parimit që mbrojtja për të njëjtin varietet nuk ka qenë zbatuar, ka qenë refuzuar ose ka skaduar në ndonjë shtet tjetër ose organizatë ndërqeveritare.

Neni 11

E  drejta e prioritetit

1. (E drejta, periudha e tij) – Çdo seleksionues i cili plotëson në mënyrën e duhur një aplikim për mbrojtjen e një varieteti në një nga Palët Kontraktuese (aplikimi i parë) do të gëzojë të drejtën e prioritetit për një periudhë 12-mujore në rastin e paraqitjes se një aplikimi për dhënie të së drejtës së seleksionuesit për të njëjtin varietet me autoritetin e një Pale tjetër Kontraktuese (aplikimi vijues). Kjo periudhë do të llogaritet nga data e plotësimit të aplikimit të parë. Dita e aplikimit nuk do të jetë përfshirë në periudhën e mëvonshme.

2. (Pretendimi i  së drejtës) – Me qëllim që të përfitojë nga e drejta e prioritetit, seleksionuesi do të kërkojë prioritetin e aplikimit të parë në aplikimin vijues. Autoriteti me të cilin aplikimi vijues është plotësuar mund t’i kërkojë seleksionuesit të paraqesë, brenda një periudhe jo më pak se 3-mujore nga data e plotësimit të aplikimit vijues, një kopje të dokumenteve që përbëjnë aplikimin e parë të vërtetuara këto nga autoriteti me të cilin ky aplikim është plotësuar, të dhëna të tjera bindëse se varieteti në fjalë është subjekti i njëjtë i të dy aplikimeve.

3. (Dokumentet dhe materiali) – Seleksionuesit do t’i lejohet një periudhë 2-vjeçare pas skadimit të periudhës së prioritetit ose, nëse aplikimi i parë është refuzuar ose tërhequr një kohë e përshtatshme pas një akti të tillë, për të paraqitur para autoritetit të Palës Kontraktuese me të cilën ai kishte plotësuar aplikimin vijues ndonjë informacion të nevojshëm, dokument ose material të kërkuar për qëllimin e shqyrtimit sipas nenit 12, siç kërkohet nga ligjet e kësaj Pale Kontraktuese.

4. (Ngjarjet e ndodhura gjatë periudhës) – Ngjarjet e ndodhura brenda periudhës që jepen në paragrafin (1), si p.sh. plotësimi i një aplikimi tjetër, botimi ose përdorimi i varietetit që është subjekt i aplikimit të parë, nuk do të përbëjë një bazë për të hedhur poshtë aplikimin vijues. Të tilla ngjarje gjithashtu nuk do të japin shkas për të drejtën e ndonjë pale të tretë.

Neni 12

Shqyrtimi i aplikimit

Çdo vendim për të dhënë të drejtën e seleksionuesit do të kërkojë një shqyrtim për përputhshmërinë me dispozitat e neneve 5-8. Gjatë shqyrtimit, autoriteti mund të rrisë varietetin, të bëjë teste të tjera të nevojshme, të shkaktojë rritjen e varietetit ose kryerjen e testeve të tjera të nevojshme ose të marrë në konsideratë rezultatet e testeve të rritjes ose provave të tjera, të cilat janë bërë tashmë. Për qëllimin  e shqyrtimit, autoriteti mund t’i kërkojë seleksionuesit të paraqesë të gjithë informacionin, dokumentet ose materialet e nevojshme.

Neni 13

Mbrojtja e përkohshme

Çdo Palë Kontraktuese do të sigurojë masat e caktuara për të ruajtur interesat e seleksionuesit gjatë periudhës midis plotësimit ose botimit të aplikimit për dhënien e një të drejte seleksionuesi dhe dhënies së kësaj të drejte. Të tilla masa do të kenë efektin që mbajtësi i një të drejte seleksionuesi të ketë të paktën të drejtën e shpërblimit nga çdo person i cili gjatë periudhës në fjalë ka vepruar në mënyrë të tille që me t’u dhënë e drejta duhej të kërkohej anëtarizimi i seleksionuesit siç parashikon nenin 14. Një Palë Kontraktuese mund të sigurojë që masa të tilla të kenë efekt në marrëdhënie me personat të cilëve seleksionuesi u ka komunikuar plotësimin e aplikimit.

KAPITULLI V

Të DREJTAT E SELEKSIONUESIT

Neni 14

Qëllimi i së drejtës së seleksionuesit

1. (Aktet lidhur me materialin shumëzues) – a)  Subjekt i neneve 15 dhe 16, aktet në vijim lidhur me materialin shumëzues të varietetit të mbrojtur do të kërkojnë anëtarizimin e seleksionuesit:

i) prodhimi ose riprodhimi (shumëzimi);

ii) kondicionimi për qëllime shumëzimi;

iii) ofrimi për shitje;

iv) shitja ose marketingu;

v) eksporti;

vi) importi;

vii) ruajtja për qëllime të përmendura në (i) deri (vi) më sipër.

b) Seleksionuesi mund të bëjë anëtarizimin e tij subjekt të kushteve dhe  kufizimeve.

2. (Aktet lidhur me materialin e vjelur) – Subjekt i neneve 15 dhe 16, aktet e referuara në çështjet (i) deri (vii) të paragrafit (1)(a) lidhur me materialin e vjelur, duke përfshirë bimë të tëra ose pjesë të bimëve të fituara nëpërmjet një përdorimi të paautorizuar të materialit të shumëzuar të varietetit të mbrojtur, do të kërkojnë anëtarizimin e seleksionuesit, me përjashtim të rasteve kur seleksionuesi ka pasur mundësi të arsyeshme për të ushtruar të drejtën e tij lidhur me këtë material shumëzues.

3. (Aktet lidhur me disa produkte) – Çdo Palë Kontraktuese mund të sigurojë që subjekt i neneve 15 dhe 16, aktet e referuara në çështjet (i) deri (vii) të paragrafit (1)(a) lidhur me produktet e bëra drejtpërdrejt nga materiali i vjelur i varietetit të mbrojtur sipas dispozitave të paragrafit (2) nëpërmjet përdorimit jo të autorizuar të këtij materiali të vjelur, do të kërkojnë anëtarizimin e seleksionuesit, me përjashtim të rasteve kur seleksionuesi ka pasur mundësi të arsyeshme për të ushtruar të drejtën e tij lidhur me këtë material të vjelur.

4. (Akte shtesë të mundshme) – Çdo Palë Kontraktuese mund të sigurojë që subjekt i neneve 15 dhe 16, aktet e ndryshme nga ato të referuara në çështjet (i) deri (vii) të paragrafit (1)(a), do të kërkojnë gjithashtu anëtarizimin e seleksionuesit.

5. (Varietetet esencialisht të derivuara dhe varietetet e tjera) – a) Dispozitat e paragrafit (1) – ( 4) do të zbatohen gjithashtu në lidhje me:

i) varietete të cilat në mënyrë thelbësore rrjedhin nga varietete të mbrojtura, aty ku varieteti i mbrojtur nuk është në vetvete një varietet që rrjedh në mënyrë thelbësore;

ii) varietete  të cilat nuk janë të dallueshme në mënyrë të qartë në përputhje me nenin 7 nga varieteti i mbrojtur  dhe

iii) varietete, prodhimi i të cilave kërkon përdorimin e përsëritur të varietetit të mbrojtur.

b) Për qëllimet e nënparagrafit (a)(i), një varietet do të gjykohet të jetë esencialisht i rrjedhur nga një varietet tjetër (varietet fillestar) kur:

i) në mënyrë dominuese rrjedh nga varieteti fillestar ose nga një varietet që është në vetvete mbizotërues i rrjedhur nga varieteti fillestar, por shpreh karakteristikat thelbësore që rezultojnë nga genotipi ose kombinimi i genotipeve të varietetit fillestar;

ii) është në mënyrë të qartë i dallueshëm nga varieteti fillestar dhe

iii) me përjashtim të ndryshimeve që mund të rezultojnë nga akti i  derivimit, ai përputhet me varietetin fillestar në shprehjen e  karakteristikave thelbësore që rezultojnë nga genotipi ose genotipet e varietetit fillestar.

c) Varietetet që rrjedhin në mënyrë thelbësore mund të përfitohen p.sh. nga seleksionimi i një mutanti natyral ose i induktuar, një varianti somaklonal, një varianti individual nga bimë të një varieteti fillestar ose kryqëzimi apo transformimi me inxhinierinë gjenetike.

Neni 15

Përjashtimet për të drejtën e seleksionuesit

1. (Përjashtimet detyruese) – E drejta e seleksionuesit nuk duhet të shtrihet për:

i) aktet e bëra në rrugë private dhe jo për qëllime tregtare;

ii) aktet e bëra për qëllime eksperimentale;

iii) aktet e bëra për qëllime seleksionimi të varieteteve të tjera dhe, me përjashtim të rastit kur dispozitat e nenit 14(5) janë të zbatueshme, aktet e referuara në nenin 14 (1) deri (4) për sa i përket varieteteve të tjera të tilla.

2. (Përjashtim optimal) – Pavarësisht nga neni 14, çdo Palë Kontraktuese mundet, në limitet e arsyeshme dhe subjekt i ruajtjes së interesave legjitime të seleksionimit, të kufizojë të drejtën e seleksionuesit në lidhje me çfarëdolloj varieteti, me qëllim që t’i lejojë fermerëve përdorimin për qëllim shumëzimi në parcelat e tyre private të prodhimit të vjelur, të marrë nga mbjellja në parcelat e tyre private të varietetit të mbrojtur ose një varieteti të mbuluar nga neni 14 (5)(a)(i) ose (ii).

Neni 16

Përfundimi i së drejtës së seleksionuesit

1. (Përfundimi i së drejtës). – E drejta e seleksionuesit nuk do të shtrihet për aktet që kanë të bëjnë me çdo material të varietetit të mbrojtur ose të një varieteti të mbuluar nga dispozitat e nenit 14(5), të cilat kanë qenë shitur ose tregtuar nga seleksionuesi ose me pëlqimin e tij në territorin e Palës Kontraktuese të interesuar, ose të çdo materiali që rrjedh nga ky material, me përjashtim të rasteve kur akte të tilla:

i) përfshijnë shumëzimin e varietetit në fjalë ose

ii) përfshijnë një eksport të materialit të varietetit, i cili mundëson shumëzimin e varietetit, në një vend i cili nuk mbron varietetet e gjinisë së bimës ose species së cilës varieteti i përket, me përjashtim të rasteve kur materiali i eksportuar është për qëllime përfundimtare konsumi.

2. (Kuptimi i fjalës “material”) – Për qëllimet e paragrafit (1), material nënkupton, në lidhje me një varietet:

i) materialin shumëzues të çdo lloji;

ii) materialin e vjelur, duke përfshirë bimët e plota dhe pjesët e bimëve, dhe

iii) çdo produkt të bërë drejtpërsëdrejti nga materiali i vjelë.

3. (Kuptimi i fjalës “territor” në disa raste) – Për qëllime të paragrafit (1), të gjitha Palët Kontraktuese, të cilat janë shtete anëtare të së njëjtës organizatë ndërqeveritare mund të veprojnë së bashku, kur rregulloret e kësaj organizate e kërkojne këtë gjë, për të asimiluar akte të bëra në territoret e shteteve anëtare të kësaj organizate në aktet e bëra në territoret e tyre, dhe nëse veprojnë kështu, ato do të njoftojnë Sekretarin e Përgjithshëm.

Neni 17

Kufizimet për të drejtën e ushtrimit të seleksionuesit

1. (Interesi publik) – Me përjashtim të rasteve kur përcaktohet shprehimisht në këtë Konventë, asnjë Palë Kontraktuese nuk mund të kufizojë ushtrimin e lirë të së drejtës së seleksionuesit për arsye të tjera, përveç atyre të interesit publik.

2. (Shpërblimi i pranueshëm) – Kur një kufizim i tillë ka efektin e anëtarizimit të një pale të tretë për të kryer një akt për të cilën kërkohet anëtarizimi i seleksionuesit, Pala Kontraktuese e interesuar do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që seleksionuesi merr një shpërblim të pranueshëm.

Neni 18

Masat që rregullojnë tregtinë

E drejta e seleksionuesit do të jetë e pavarur nga çdo masë e marrë nga një Palë Kontaktuese, që në çdo rast nuk do të cenojnë zbatimin e dispozitave të kësaj Konvente, për të rregulluar në territorin e saj prodhimin, certifikimin dhe marketingun e materialit të varieteteve ose importin ose eksportin e materialit të tillë.

Neni 19

Afati i së drejtës së seleksionuesit

1. (Periudha e mbrojtjes) – E drejta e seleksionuesit do të garantohet për një periudhë të caktuar kohe.

2. (Periudha minimale) – Kjo periudhë nuk do të jetë më e shkurtër se 20 vjet nga data e dhënies të së drejtës së seleksionuesit. Për pemët dhe vreshtat, kjo periudhë nuk do të jetë më e shkurtër se 25 vjet nga data e dhënies së kësaj të drejte.

KAPITULLI VI

EMËRTIMI I VARIETETIT

Neni 20

Emërtimi i varietetit

1. (Caktimi i varieteteve nga emërtimet, përdorimi i emërtimit)

a) Varietetit do t’i jetë caktuar një emërtim i cili do të jetë emërtimi  tij  gjenetik.

b) Çdo Palë Kontraktuese do të sigurojë që, subjekt i paragrafit (4), asnjë e drejtë në regjistrimin e emërtimit të varietetit  nuk do të pengojë përdorimin e lirë të emërtimit në lidhje me varietetin edhe pas skadimit të së drejtës së seleksionuesit.

2. (Karakteristikat e emërtimit) – Emërtimi duhet të mundësojë identifikimin e varietetit. Ai nuk mund të konsistojë vetëm në shifra me përjashtim të rastit kur është vendosur një praktikë e tillë për varietete të caktuara. Ai nuk do të ketë përgjegjësinë për të futur në rrugë të gabuar ose për të shkaktuar konfuzion lidhur me karakteristikat, vlerat, identitetin e varietetit ose identitetin e seleksionuesit. Në veçanti, ai duhet të jetë i ndryshëm nga çdo emërtim i cili përcakton në territorin e çdo Pale Kontraktuese një varietet të njëjtë ose të ngjashëm specieje.

3. (Regjistrimi i emërtimit) – Emërtimi i varietetit do të paraqitet nga seleksionuesi pranë autoritetit. Në qoftë se rezulton se emërtimi nuk plotëson kërkesat e paragrafit (2), autoriteti do të refuzojë ta regjistrojë dhe do t’i kërkojë seleksionuesit të propozojë një emërtim tjetër brenda një periudhe të përcaktuar. Emërtimi do të regjistrohet nga autoriteti në të njëjtën kohë që i është dhënë e drejta e seleksionuesit.

4. (Të drejtat e mëparshme të personave të tretë) – Të drejtat e mëparshme të personave të tretë nuk do të cenohen. Në qoftë se, për shkak të një të drejte të mëparshme, përdorimi i emërtimit të një varieteti i është ndaluar një personi i cili, në përputhje me dispozitat e paragrafit (7), është i detyruar ta përdorë atë, autoriteti do t’i kërkojë  seleksionuesit të paraqesë një tjetër emërtim për varietetin.

5. (Emërtimi i njëjtë në të gjitha Palët Kontraktuese) – Një varietet duhet t’i jetë paraqitur të gjitha Palëve Kontraktuese me të njëjtin emërtim. Autoriteti i çdo Pale Kontraktuese do të regjistrojë emërtimin e paraqitur kështu, me përjashtim të rasteve kur e konsideron emërtimin jo të përshtatshëm në territorin e tij. Në rastin e fundit, ai do t’i kërkojë seleksionuesit të paraqesë emërtimin tjetër.

6. (Informacioni ndërmjet anëtarëve të Palëve Kontraktuese) – Autoriteti i një Pale Kontraktuese do të sigurojë që anëtaritetet e të gjitha Palëve të tjera Kontraktuese janë informuar për çështjet lidhur me emërtimet e varietetit, në veçanti në lidhje me paraqitjen, regjistrimin dhe anulimin e emërtimeve. Çdo anëtaritet mund t’i dërgojë vërejtjet e tij, nëse ka, për regjistrimin e një emërtimi autoritetit të cilit i komunikohet emërtimi.

7. (Detyrimi për të përdorur emërtimin) – Çdo person i cili, brenda territorit të një prej Palëve Kontraktuese, ofron për shitje ose marketing materialin shumëzues të një varieteti të mbrojtur brenda këtij territori, do të jetë i detyruar të përdorë emërtimin e këtij varieteti edhe pas skadimit të së drejtës së seleksionuesit për këtë varietet, me përjashtim të rastit kur, në përputhje me dispozitat e paragrafit (4), të drejtat e mëparshme parandalojnë një përdorim të tillë.

8. (Treguesit e përdorur në lidhje me emërtimet) – Kur një varietet është afruar për shitje ose marketing, ai do të lejohet të shoqërohet me një markë apo emër tregtimi, ose një tregues tjetër të ngjashëm me një emërtim varieteti të regjistruar. Në rast se një tregues është i lidhur kështu, emërtimi duhet të jetë lehtësisht i njohur.

KAPITULLI VII

PAVLEFSHMëRIA E të DREJTËS SË SELEKSIONUESIT

Neni 21

Pavlefshmeria e së drejtës së seleksionuesit

1. (Arsyet e pavlefshmërisë) – Çdo Palë Kontraktuese do të deklarojë një të drejtë seleksionuesi të dhënë prej tij si të pavlefshme dhe pa efekte nëse rezulton se:

i) kushtet e përcakuara në nenet 6 ose 7 nuk ishin përmbushur në kohën e dhënies të së drejtës së seleksionuesit;

ii) kur dhënia e së drejtës së seleksionuesit ka qenë bazuar në mënyrë thelbësore në informacionin dhe dokumentet e paraqitura nga seleksionuesi, kushtet e përcakuara në nenet 8 ose 9 nuk ishin përmbushur në kohën e dhënies të së drejtës së seleksionuesit; ose

iii) e drejta e seleksionuesit i është dhënë një personi i cili nuk duhet ta kishte këtë të drejtë, me përjashtim të rasteve kur i është transferuar personit të cilit duhet ta kishte këtë të drejtë.

2. (Përjashtimi i arsyeve të tjera) – Asnjë e drejtë seleksionuesi nuk do të deklarohet i pavlefshëm dhe pa efekte për arsye të tjera përveç atyre të referura në paragrafin (1).

Neni 22

Anulimi i së drejtës së seleksionuesit

1. (Arsyet për anulim) – a) Çdo Palë Kontraktuese mund të anulojë një të drejtë seleksionuesi të dhënë prej tij në rast se është vendosur që kushtet e përcakuara në nenet 8 ose 9 nuk plotësohen më.

b) Më tej çdo Palë Kontraktuese mund të anulojë një të drejtë seleksionuesi të dhënë prej tij në rast se i është kërkuar kjo dhe brenda një periudhe të përshkruar:

i) seleksionuesi nuk i siguron autoritetit informacionin, dokumentet ose materialin e gjykuar të domosdoshëm për të verifikuar mbrojtjen e varietetit;

ii) seleksionuesi  dështon të paguajë tarifat e pagueshme detyrimisht për të mbajtur të drejtën e tij në fuqi; ose

iii) seleksionuesi nuk propozon një emërtim tjetër të përshtatshëm, kur emërtimi i varietetit është anuluar pas dhënies të së drejtës.

2. (Përjashtimi i arsyeve të tjera) – Asnjë e drejtë seleksionuesi nuk do të anulohet përveç atyre të referura në paragrafin (1).

KAPITULLI VIII

BASHKIMI

Neni 23

Anëtarët

Palët Kontraktuese do të jenë anëtarë të Bashkimit.

Neni 24

Statusi ligjor dhe selia

1. (Personaliteti ligjor)- Bashkimi ka personalitet ligjor.

2. (Kapaciteti ligjor)- Bashkimi gëzon në territorin e secilës Palë Kontraktuese, në përputhje me ligjet e zbatueshme në territorin në fjalë, kapacitetin ligjor të nevojshëm për plotësimin e objektivave të Bashkimit dhe për ushtrimin e funksioneve të tij.

3. (Selia) – Selia e Bashkimit dhe organet e tij të përhershme janë në Gjenevë.

4. (Marrëveshja e selisë) – Bashkimi ka një marrëveshje për selinë e vet me Konfederatën Zvicerane.

Neni 25

Organet

Organet e përhershme të Bashkimit janë Këshilli dhe Zyra e Bashkimit.

Neni 26

Këshilli

1. (Përbërja) – Këshilli do të përbëhet nga përfaqësuesit e anëtarëve të Bashkimit. Çdo anëtar i Bashkimit do të caktojë një përfaqësues në Këshill, si dhe një zëvendës. Përfaqësuesit ose zëvendësit mund të jenë shoqëruar nga ndihmës ose këshilltarë.

2. (Nëpunësit) – Këshilli do të zgjedhë një president dhe një zëvendëspresident të parë ndërmjet anëtarëve të tij. Zëvendëspresidenti i parë do të zërë vendin e presidentit në qoftë se ky nuk është në gjendje të kryejë detyrën. Mandati i Presidentit zgjat për një periudhë 3-vjeçare.

3. (Sesionet) – Këshilli do të mblidhet me thirrjen e Presidentit. Sesioni i zakonshëm i Këshillit do të mbahet një herë në vit. Krahas kësaj, Presidenti mund të mbledhë Këshillin edhe në raste të tjera që ai e sheh të arsyeshme; ai gjithashtu e mbledh Këshillin brenda një periudhe 3- mujore, në rast se kërkohet nga një e treta e anëtarëve të Bashkimit.

4. (Vëzhguesit) – Shtetet joanëtare të Bashkimit mund të ftohen si vëzhgues në takimet e Këshillit. Në takime të tilla mund të ftohen edhe vëzhgues dhe ekspertë të tjerë.

5. (Detyrat) – Detyrat e Këshillit do të jenë:

i) të studiojë masat e përbashkëta për të ruajtur interesat dhe për të nxitur zhvillimin e Bashkimit;

ii) të vendosë rregullat e tij të procedurës;

iii) të caktojë Sekretarin e Përgjithshëm dhe në qoftë se e gjen të arsyeshme një Zëvendëssekretar të Përgjithshëm, si dhe të përcaktojë mandatet e secilit;

iv) të kontrollojë në një raport vjetor aktivitetet e Bashkimit dhe të hartojë programin për punën në të ardhmen;

v) t’i japë Sekretarit të Përgjithshëm të gjitha udhëzimet e nevojshme për kryerjen e detyrave të Bashkimit;

vi) të vendosë rregullat administrative dhe financiare të Bashkimit;

vii) të kontrollojë dhe të aprovojë buxhetin e Bashkimit dhe të caktojë kontributet e secilit anëtar të Bashkimit;

viii) të kontrollojë dhe të miratoje llogaritë e paraqitura nga Sekretari i Përgjithshëm;

ix) të caktojë datën dhe vendin e konferencave referuar në nenin 38 dhe të marrë masat e nevojshme për përgatitjen e tyre;

x) në përgjithësi, të marrë të gjitha vendimet e nevojshme për të siguruar funksionimin efikas të Bashkimit.

6. (Votat) – Çdo anëtar i Bashkimit që është një shtet do të ketë një votë në Këshill.

b) Çdo Palë Kontraktuese që është një organizatë ndërqeveritare mundet që, në çështjet brenda kompetencës së vet, të ushtrojë të drejtën për votim të shteteve të tij që janë anëtarë të Bashkimit. Megjithatë një organizatë ndërqeveritare nuk do të ushtrojë të drejtën e votës për shtetet e tij anëtare në qoftë se këto shtete anëtare e ushtrojnë vetë të drejtën e tyre për të votuar dhe anasjelltas.

7. (Shumica) – Çdo vendim i Këshillit do të kërkojë një shumicë të thjeshtë të votave të hedhura, me kusht që çdo vendim i Këshillit sipas paragrafëve (5)(ii), (vi) dhe (vii) dhe neneve 28(3), 29(5)(b) dhe 38(1) të merret me tre të katërtat e votave të hedhura. Abstenimet nuk do të konsiderohen si vota.

Neni 27

Zyra e Bashkimit

1. (Detyrat dhe drejtimi i zyrës) – Zyra e Bashkimit do të kryejë të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat e besuara nga Këshillli. Ajo do të jetë nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm.

2. (Detyrat e Sekretarit të Përgjithshëm) – Sekretari i Përgjithshëm do të jetë përgjegjës para Këshillit. Ai do të jetë përgjegjës për zbatimin e vendimeve të Këshillit. Ai do t’i paraqesë Këshillit buxhetin e Bashkimit për miratim dhe do të jetë përgjegjës për zbatimin e tij. Ai do të raportojë para Këshillit për  administrimin e tij, aktivitetet dhe pozicionin financiar të Bashkimit.

3. (Personeli) – Në bazë dispozitave të nenit 26 (5) (iii), kushtet e caktimit dhe të punësimit të personelit të nevojshëm për realizimin me sukses të detyrave të zyrës të Bashkimit, do të caktohen në rregulloren administrative dhe financiare.

Neni 28

Gjuhët

1. (Gjuhët e zyrës) – Gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe spanjisht do të përdoren nga zyra e Bashkimit për të kryer detyrat e saj.

2. (Gjuhët në disa takime) – Takimet e Këshillit dhe shqyrtimi i konferencave do të zhvillohen në 4 gjuhë.

3. (Gjuhë të tjera) –  Këshilli mund të vendosë përdorimin e gjuhëve të tjera.

Neni 29

Financat

1. (Të ardhurat) – Shpenzimet e Bashkimit do të plotësohen nga:

i) kontributet vjetore të shteteve anëtare të Bashkimit;

ii) pagesat e marra nga shërbimet e kryera;

iii) të ardhura të ndryshme.

2. (Kontributet: njësitë)

a) Pjesa e çdo shteti anëtar të Bashkimit në sasinë e përgjithshme të kontributit vjetor do të përcaktohet duke iu referuar shpenzimeve të përgjithshme për t’u plotësuar nga kontributet e shteteve anëtare të Bashkimit dhe numrit të njësive kontribut të zbatueshem sipas paragrafin (3). Kjo pjesë kontribuese do të jetë llogaritur sipas paragrafit (4).

b) Numri i njësive kontribut do të  shprehet në numra ose fraksione të plota, me kusht që asnjë fraksion nuk do të jetë më i vogël se një e pesta.

3. (Kontibutet: pjesa e secilit anëtar)

a) Numri i njësive kontribut të zbatueshme për çdo anëtar të Bashkimit që është palë e Aktit të vitit 1961/1972 ose Aktit të vitit 1978 në datën në të cilën bëhet e detyrueshme kjo Konvente do të jetë i njëjtë si numri i zbatueshëm për të menjëherë para kësaj date.

b) Çdo shtet tjetër anëtar i Bashkimit, kur bëhet anëtar, do të duhet të tregojë në një deklaratë drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm numrin e njësive kontribut të zbatueshëm për të.

c) Çdo shtet anëtar i Bashkimit mundet në çfarëdo kohe të tregojë në një deklaratë drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm një numër njësish kontribut të ndryshëm nga numri i zbatueshëm për të sipas paragrafin (a) ose (b). Një deklaratë e tillë nëse bëhet gjatë 6 muajve të parë të një viti kalendarik do të marrë efekt nga fillimi  vitit kalendarik të mëparshëm, ndryshe ai do të marrë efekt nga fillimi i vitit të dytë kalendarik që vijon në vitin në të cilën deklarata është bërë.

4. (Kontributet: përllogaritja e pjesëve)

a) Për çdo periudhë buxhetore, sasia korresponduese e një njësie kontribut do të merret duke pjesëtuar sasinë e përgjithshme të shpenzimeve që priten të bëhen për atë periudhë me kontributet e shteteve anëtare të Bashkimit me totalin e numrit të njësive të aplikueshme për ato shtete anëtare të Bashkimit.

b) Sasia e kontributit të çdo shteti anëtar të Bashkimit do të merret duke shumëzuar sasinë korresponduese të një njësie kontribut me numrin e njësive kontribut të zbatueshme për atë shtet anëtar të Bashkimit.

5. (Borxhet në kontribute)

a) Një shtet anëtar i Bashkimit, i cili ka prapambetje në pagesën e kontributeve të tij, nuk mundet, në bazë të nënparagrafit (b), të ushtrojë të drejtën e tij për të votuar në Këshill, nëse sasia e të prapambeturave të tij është baraz ose kalon sasinë e kontributit që detyrohet të paguajë për vitin e plotë të mëparshëm. Pezullimi i së drejtës për të votuar nuk do të çlirojë një shtet të tillë anëtar të Bashkimit nga detyrimet e tij sipas kësaj Konvente dhe nuk do ta privojë atë nga të drejtat e tjera.

b) Këshilli mund të lejojë atë shtet anëtar të Bashkimit që të vazhdojë të ushtrojë të drejtën e tij të votës në rast se Këshilli është i bindur që vonesa në pagesën është rezultat i rrethanave të jashtëzakonshme dhe të paevitueshme.

6. (Auditimi i llogarive) – Auditimi i llogarive të Bashkimit do të bëhet nga një shtet anëtar i Bashkimit siç jepet në rregulloren administrative dhe financiare. Një shtet i tillë anëtar do të caktohet nga Këshilli, pas dhënies së pëlqimit prej tij.

7. (Kontributet e organizatave ndërqeveritare)

 Çdo Palë Kontraktuese, e cila është një organizatë ndërqeveritare, nuk do të jetë e detyruar të paguajë kontribute. Në rast se ajo zgjedh që të paguajë kontribute, dispozitat e paragrafit (1) deri (4) do të zbatohen në përputhje me to.

KAPITULLI IX

ZBATIMI I KONVENTËS; MARRËVESHJET E TJERA

Neni 30

Zbatimi i Konventës

1. (Masat e zbatimit) – Çdo Palë Kontraktuese do të miratojë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e kësaj Konvente, në veçanti ajo:

i) do të sigurojë rregullimet e përshtatshme ligjore për forcimin efektiv të të drejtave të seleksionuesit;

ii) do të mbajë një autoritet të besuar me detyrën e dhënies të së drejtës së seleksionuesit ose t’ia besojë këtë detyrë një autoriteti të mbrojtur nga një Palë tjetër Kontraktuese;

iii) do të sigurojë që publiku është informuar nëpërmjet botimit të rregullt të informacionit që ka të bëjë me:

– zbatimin për dhënien e të drejtave të seleksionuesit dhe

– propozimin dhe miratimin e emërtimeve.

2. (Përputhja e ligjeve) – Duhet të jetë e kuptueshme që, me depozitimin e instrumentit të ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit, sipas rastit, çdo shtet ose organizatë ndërqeveritare do të jetë në një pozitë,  sipas ligjeve të veta, t’i japë efekt dispozitave të kësaj Konvente.

Neni 31

Marrëdhëniet midis Palëve Kontraktuese dhe shteteve të lidhura me akte të mëparshme

1. (Marrëdhëniet midis shteteve të lidhura nga kjo Konventë) – Midis shteteve anëtare të Bashkimit, të cilat janë të lidhura nga kjo Konventë, dhe çdo akti të mëparshëm, vetëm kjo Konventë do të zbatohet.

2. (Marrëdhëniet e mundshme me shtetet që nuk janë palë në këtë Konventë) – Çdo shtet anëtar i Bashkimit që nuk është palë në këtë Konventë, mund të deklarojë në një njoftim drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm, që në marrëdhëniet e tij me çdo shtet anëtar të Bashkimit palë vetëm në këtë Konventë, ai do të zbatojë aktin më të fundit të lidhur. Gjithashtu nga skadimi një muaj pas datës së një njoftimi të tillë dhe deri sa shteti anëtar i Bashkimit që bën deklaratën bëhet palë në këtë Konventë, ky anëtar i Bashkimit do të zbatojë aktin e fundit për të cilin ai ka detyrim në marrëdhëniet e tij me çdo anëtar të palës në këtë Konventë, ndërkohë që ky i fundit do të zbatojë këtë Konventë për sa i përket të mëparshmes.

Neni 32

Marrëveshjet e posaçme

Anëtarët e Bashkimit rezervojnë të drejtën për të përfunduar midis tyre marrëveshje të posaçme për mbrojtjen e varieteteve, me kusht që të mos jenë në kundërshtim me dispozitat e kësaj Konvente.

KAPITULLI  X

DISPOZITA  PëRFUNDIMTARE

Neni 33

Nënshkrimi

Kjo Konventë do të jetë e hapur për nënshkrim për çdo shtet që është anëtar i Bashkimit në datën e miratimit të saj. Ajo do të jetë e hapur për nënshkrim deri më 31 mars 1992.

Neni 34

Ratifikimi, pranimi, miratimi ose aderimi

1. (Shtetet dhe disa organizata ndërqeveritare)

a) Çdo shtet mundet të bëhet palë e kësaj Konvente mbështetur në këtë nen.

b) Çdo organizatë ndërqeveritare të bëhet palë e kësaj Konvente mbështetur në këtë nen, në qoftë se ka:

i) kompetencë në lidhje me çështjet që udhëhiqen nga kjo Konventë;

ii) legjislacionin e tij që siguron dhënien dhe mbrojtjen e së drejtës së seleksionuesit në mënyrë të detyrueshme për të gjitha shtetet anëtare;

iii) qenë siç duhet i autorizuar në përputhje me procedurat e tij të brendshme për të hyrë në këtë Konventë.

2. (Instrumenti përkatës detyrues) – Çdo shtet i cili ka nënshkruar këtë Konventë do të bëhet palë e kësaj Konvente duke depozituar një instrument ratifikimi, pranimi ose miratimi të kësaj Konvente. Çdo shtet që nuk e ka nënshkruar këtë Konventë, si dhe çdo organizatë ndërqeveritare do të bëhen palë e kësaj Konvente duke depozituar një instrument aderimi në këtë Konventë. Instrumentet e ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit do të depozitohen pranë Sekretarit të Përgjithshëm.

3. (Këshilla e Këshillit) – Çdo shtet i cili nuk është anëtar i Bashkimit dhe çdo organizatë ndërqeveritare, para depozitimit të instrumentit të saj të aderimit, do t’i kërkojë Këshillit  ta këshillojë në lidhje me përputhshmërinë ligjit të saj me dispozitat e kësaj Konvente. Në qoftë se vendimi që përfshin këshillën është pozitiv, instrumenti i aderimit mund të depozitohet.

Neni 35

Rezervat

1. (Parimi) – Subjekt i paragrafit (2) rezervat për këtë Konventë nuk lejohen.

2. (Përjashtimi i mundshëm) – (a) Pavarësisht nga dispozitat e nenit 3(1), çdo shtet i cili, në kohën kur bëhet palë e kësaj Konvente, është një palë e Aktit të 1978 dhe i cili, për sa i përket varieteteve të riprodhuara joseksualisht, siguron mbrojtjen e një titulli pronësie industriale tjetër nga ajo e së drejtës së seleksionuesit, do të ketë të drejtën për të vazhduar ta bëjë këtë pa e zbatuar këtë Konventë për këto varietete.

(b) Çdo shtet që përdor këtë të drejtë në kohën e depozitimit të instrumentit të tij të ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit, sipas rastit, do të njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm për këtë. I njëjti shtet mundet në çdo kohë të tërheqë këtë njoftim.

Neni 36

Komunikimet lidhur me legjislacionin dhe gjinitë e speciet e mbrojtura; informacioni që publikohet

1. (Komunikimi fillestar) – Kur depoziton instrumentin e tij të ratifikimit pranimit, miratimit ose aderimit në këtë Konventë, siç mund të jetë rasti, çdo shtet ose organizatë ndërqeveritare do të njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm për:

i) legjislacionin e vet që udhëheq të drejtat e seleksionuesit, dhe

ii) listën e gjinive të bimëve dhe specieve për të cilat, në datën në të cilën ai është bërë palë në këtë Konventë, ai do të zbatojë dispozitat e kësaj Konvente.

2. (Komunikimi i ndryshimeve) – Çdo Palë Kontraktuese do të njoftojë menjëherë Sekretarin e Përgjithshëm për:

i) çdo ndryshim në legjislacionin e tij të të drejtave të seleksionuesit dhe

ii) çdo shtrirje të zbatimit të kësaj Konvente për gjini bimësh dhe speciesh shtesë.

3. (Botimi i informacionit) – Sekretari i Përgjithshëm në bazë të komunikimeve të marra nga çdo Palë Kontraktuese e interesuar, do të botojë informacionin për:

i) legjislacionin e të drejtave të seleksionuesit dhe ndonjë ndryshim në këtë legjislacion, dhe

ii) listën e gjinive dhe specieve të bimëve referuar në paragrafin (1) (ii) dhe ndonjë shtrirje referuar në paragrafin (2) (ii).

Neni 37

Hyrja në fuqi; përfundimi i akteve të mëparshme

1. (Hyrja fillestare në fuqi) – Kjo Konventë do të hyjë në fuqi një muaj pasi 5 shtete të kenë depozituar instrumentin e ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit në këtë Konventë, siç mund të jetë rasti, me kusht që të paktën 3 nga këto instrumente të jenë depozituar nga Shtetet Palë të Aktit të 1961/1972 ose Aktit të 1978.

2. (Hyrja në fuqi në vijim) – Çdo shtet që nuk mbulohet nga paragrafi (1) ose ndonjë organizatë ndërqeveritare, do të lidhet nga kjo Konventë një muaj pas datës në të cilën ai ka depozituar instrumentin e tij të ratifikimit pranimit, miratimit ose aderimit në këtë Konventë, siç mund të jetë rasti.

3. (Mbyllja e aktit 1978) – Asnjë instrument aderimi në Aktin e 1978 nuk mund të depozitohet pas hyrjes në fuqi të kësaj Konvente sipas paragrafit (1), me përjashtim të rastit kur çdo shtet, që në përputhje me praktikat e vendosura të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara konsiderohet një vend në zhvillim, mund të depozitojë një instrument të tillë deri më 31 dhjetor 1995 dhe që çdo shtet tjetër mund të depozitojë një instrument të tillë deri më 31 dhjetor 1993 edhe në rast se kjo Konventë hyn në fuqi përpara kësaj date.

Neni 38

Rishikimi i Konventës

1. (Konferenca) – Kjo Konventë mund të shqyrtohet nga konferenca  e anëtarëve të Bashkimit. Thirrja e Konferencës do të vendoset nga Këshilli.

2. (Kuorumi dhe shumica) – Punimet e Konferencës do të jenë të vlefshme vetëm nëse të paktën gjysma e shteteve anëtare të Bashkimit janë përfaqësuar në të. Një shumicë prej tre të katërtave të shteteve anëtare të Bashkimit të pranishëm që votojnë në Konferencë do të kërkohen për miratimin e çfarëdo rishikimi.

Neni 39

Denoncimi

1. (Njoftimi) – Çdo Palë Kontraktuese mund të denoncojë këtë Konventë në njoftimin drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm. Sekretari i Përgjithshëm menjëherë do të njoftojë të gjithë anëtarët e Bashkimit për marrjen e këtij njoftimi.

2. (Aktet e mëparshme) – Njoftimi i denoncimit të kësaj Konvente do të gjykohet gjithashtu si njoftimi i denoncimit të çdo akti të mëparshëm me të cilin Pala Kontraktuese që denoncon këtë Konventë është lidhur.

3. (Data efektive) – Denoncimi do të marrë efekt në fund të vitit kalendarik që pason vitin në të cilin njoftimi është marrë nga Sekretari i Përgjithshëm.

4. (Të drejtat e fituara) – Denoncimi nuk do të cenojë ndonjë të drejtë të fituar për shkak të kësaj Konvente ose çdo akti të mëparshëm para datës në të cilën denoncimi bëhet efektiv.

Neni 40

Ruajtja e të drejtave ekzistuese

Kjo Konventë nuk do të kufizojë të drejtat e seleksionuesit sipas ligjeve të Palëve Kontraktuese ose për arsye të ndonjë akti të mëparshëm, ose ndonjë marrëveshjeje tjetër si kjo e përfunduar midis anëtarëve të Bashkimit.

Neni 41

Tekstet origjinale dhe zyrtare të Konventës

1. (Origjinali) – Kjo Konventë do të nënshkruhet në një origjinal të vetëm në gjuhët anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht, ku teksti frëngjisht do të mbizotërojë në rast mosmarrëveshjeje ndërmjet teksteve të ndryshme. Origjinali do të jetë depozituar pranë Sekretarit të Përgjithshëm.

2. (Tekstet zyrtare) – Sekretari i Përgjithshëm, pas konsultimit me qeveritë e interesuara, do të vulosë tekstet zyrtare të kësaj Konvente në gjuhët arabe, holandeze, italiane, japoneze dhe spanjolle dhe gjuhë të tjera që Këshilli mund të përcaktojë.

Neni 42

Funksionet depozitare

1. (Transmetimi i kopjeve) – Sekretari i Përgjithshëm do t’u transmetojë kopje të vërtetuara të kësaj Konvente të gjitha shteteve dhe organizatave ndërqeveritare, të cilët ishin përfaqësuar në konferencën diplomatike që miratoi këtë Konventë dhe, me kërkesën e tyre, çdo shteti tjetër ose organizate ndërqeveritare.

2. (Regjistrimi) – Sekretari i Përgjithshëm do të regjistrojë këtë Konventë në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara.

    • February 2018
      Mon Tue Wed Thu Fri Sat Sun
      « Jan    
       1234
      567891011
      12131415161718
      19202122232425
      262728  
  • IP4all Weekly Bulletin

    You can subscribe to the weekly IP4ALL Bulletin.

  • Recommended videoView all | 

    All inventors, wherever in the world they are, deserve to obtain adequate protection of their inventions through legislation in the field of intellectual property. During to a visit to Geneva for the WIPO 2014 Assemblies, Michelle K. Lee, Deputy Under Secretary of Commerce for Intellectual Property and Deputy Director of the USPTO, talks about intellectual property in international aspect, with the aim to create convenient environment for international trade, but namely building a better international patent system.

    It is worth noting the good example she gives with American practice – USPTO invites patent practitioners to train its experts and thus to increase the quality of its services.

  • IP Consulting Ltd. - Intellectual Property Consulting Agency
  • Landmark-TP
  • Ivan Georgiev - Rembrand
  • Global IP Attorneys - The world's leading address guide for patent,  trademark, copyright, intellectual property and IP attorneys. In just a few steps you can find your agency for registration and protection of your intellectual property, patent, design, copyright or trademark.
  • The Professional Sector Network is a referral and networking group that caters exclusively to leading firms with a history of excellence in the business, advisory and investment sectors.
  • IP Basis®

  • IP Guide®

  • Become our partners